Avokati i Popullit raporton para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione

Avokati i Popullit sot ka raportuar para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, lidhur me procesin e rekrutimit për përzgjedhjen e pesë Zëvendës Avokatëve të Popullit.

Duda Balje, Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione tha se pas pranimit të raportit të Avokatit të Popullit lidhur me këtë proces të rekrutimit, Komisioni ka pranuar edhe shtatë ankesa nga kandidatët të cilët nuk janë përzgjedhur në mesin e dhjetë personave për t`u propozuar për votim në Kuvend.

Sipas anëtarëve të Komisionit, ankesat kanë të bëjnë kryesish lidhur me shkeljet procedurale për të cilat kandidatët pretendojnë që janë bërë gjatë zhvillimit të këtij konkursi.

Lidhur ankesat e pranuara, kryetarja e komisionit, Duda Balje kërkoi nga Avokati i Popullit, që i njëjti të deklarohej para Komisionit, nëse gjatë zhvillimit të këtij procesit të rekrutimit e kanë respektuar ligjin.

Lidhur me këtë çështje, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se ky proces i rekrutimit është procesi më i mirë i rekrutimit që ka ndodhur në Kosovë që prej themelimit të shtetit.

Qelaj tha se kriteret dhe konkurset e përcaktuara me konkurs janë ligjore dhe janë të përcaktuara me rregulloren për përzgjedhjen e Avokatit dhe Zëvendës Avokatit të Popullit dhe Ligjit për Avokatin e Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit edhe anëtarët e Komisionit janë emëruar në bazë integritet, bagazhit dhe njohurive dhe eksperiencave që ata kanë pasur në fushën e të drejtave të njeriut.

Kurse sa i përket transparencës, Qelaj tha se ky proces i rekrutimit ka pasur transparencë që nga fillimi e deri në fund, pasi që këtë proces të rekrutimit e kanë monitoruar Zyra e BE-së, OSBE-së, BIRN si dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.

“Pasi që i kemi shqyrtuar të gjitha dosjet veç e veç kemi ardhur në konkludim që kandidatët e caktuar nuk i kanë plotësuar kushtet formale të aplikimit prandaj të njëjtit janë larguar nga gara”, tha Qelaj gjatë raportimit para Komisionit.

Në raport me shqyrtimin e këtyre ankesave, Komisioni ka kërkuar nga Avokati i Popullit edhe një përgjigje me shkrim, kurse Avokati i Popullit është treguar i gatshëm që para Komisionit të paraqes të gjitha dosjet e kandidatëve për Zëvendës të Avokatit të Popullit.

Në këtë proces të rekrutimit kanë aplikuar 69 persona, 43 prej tyre janë konsideruar që i kanë plotësuar kriteret e aplikimit, ndërsa dhjetë prej këtyre personave pas intervistimit i janë propozuar Kuvendit.

Në mesin e dhjetë personave të propozuar, Kuvendi do të votoj pesë persona të cilët do të zgjedhën si Zëvendës ët Avokatit të Popullit.

Zëvendësit e Avokatit të Popullit zgjedhën nga Kuvendi, me mandat tre vjeçar me mundësi rizgjedhjeje.