Avokati i Popullit

Avokati i Popullit publikon raportin për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe

Avokati i Popullit publikoi Raportin Ex officio përmes të cilit kërkohet që të ndryshohet Udhëzimi Administrativ (MASHT) Nr.19/2016 për Përfshirjen e Fëmijëve në Institucione Parashkollore në Kosovë.

Sipas Avokatit të Popullit, kërkesa e kontratës së punës nga ana e të dy prindërve për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore është konsideruar si diskriminuese dhe trajtim i pabarabartë para ligjit.

“Avokati i Popullit vërejti se kërkesa për kontratën e punësimit tё prindërve, e vendosur nga disa komuna gjatë publikimit tё konkurseve për pranim në institucione parashkollore, si dhe vërejtja e tyre se aplikimet pa këto dokumente nuk do tё shqyrtohen është në kundërshtim më Udhëzimin Administrativ Nr. 19/ 2016”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se Avokati i Popullit ka vërejtur se vendosja e këtij  prioriteti nga disa komuna ka ardhur nga mungesa e kapaciteteve dhe e burimeve pёr ta akomoduar numrin e madh tё aplikimeve me gjithë vullnetin e tyre pёr t’i pёrfshirё tё gjithё fёmijёt pa dallim.