Avokati i Popullit

Avokati i Popullit: Përdorimi i narkotikëve prek edhe fëmijet e moshës 10 vjeçare

Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar një Raport në lidhje me përdorimin e substancave narkoktike nga fëmijët.

Sipas Avokatit të Popullit, qëllimi i këtij Raporti është vlerësimi i gjendjes aktuale rreth përdorimit të substancave narkotike nga fëmijët në Kosovë dhe adresimit të rekomandimeve tek institucionet përkatëse, në mënyrë që të merren masat.

Sipas këtij Raporti, përdorimi i drogave nga fëmijët në Kosovë është shumë shqetësuese, duke shtuar faktin e rënies rapide të moshës së përdoruesve, që sipas raportit, nga viti në vit ka prekur edhe fëmijët e moshës 10 vjeçare.

“Në këtë Raport, Avokati i Popullit konstaton se ekziston mungesë e qendrave të specializuara për trajtimin e të rinjëve përdorues të substancave narkotike dhe mungesë të programeve përkatëse vetëdijesuese dhe parandaluese si dhe mungesë e shërbimeve të trajtimit të përdoruesve të substancave narkoktike si për nga shtrirja gjeografike ashtu edhe për nga cilësia”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit, për këtë Raport.

Gjithashtu në raport ceket, se sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Kosovoës, nga 2 tetori 2017 e deri më 31 tetor 2018, janë kryer 36 mijë e 624 patrullime rreth shkollave, ku janë arrestuar 710 persona, prej tyre 150 nxënës.

Po ashtu në Raport tregohet, që sipas organizatës ‘Labirinth’, të dhënat tregojnë që në vitin 2017, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës ka qenë 16 vjeç.