Avokati i Popullit

Avokati i Popullit padit KQZ-në

Institucioni i Avokatit të Popullit ka paditur sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për diskriminimi gjinor në listat e kandidatëve të subjekteve politikë për zgjedhjet parlamentare.

“KQZ-ja, sipas mandatit që ka, i ka certifikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2019, por nuk i ka pasur parasysh garancitë kushtetuese e ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Në njoftim tutje thuhet se Avokati i Popullit si institucion i barazisë sipas Ligjit për Barazi Gjinore dhe si institucion me kompetenca të përcaktuara edhe me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, me padi ndaj KQZ-së duke kërkua nga gjykata që të vendosë se:

1.Sjellja e KQZ-së e ka shkelur të drejtën për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

2.Të ndalojë ndërmarrjen e veprimtarive të cilat shkelin apo mund të shkelin të drejtën për trajtim të barabartë, apo të kryejnë veprimtari të cilat eliminojnë diskriminimin apo pasojat e tij në lidhje me trajtimin e pabarabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

3.Ta publikojë në media vendimin i cili vërteton shkeljen e së drejtës për trajtim të barabartë.

Në njoftim thuhet se Avokati i Popullit ia ka bashkangjitur padisë në fjalë kërkesën për masë të përkohshme në procesin zgjedhor, mbi bazën e argumenteve që parashtron padia në fjalë dhe i kërkon Gjykatës aprovimin e kësaj mase.

“KQZ-ja, si palë e paditur, do të duhej t’i rishikonte listat e partive politike, në mënyrë që ato të jenë në pajtim me dispozitat e ligjit për Barazi gjithmore i cili thotë se “përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse, dhe se “partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”