Tubimi i AAK-se ne Istog

Avokati i Popullit: Mos respektimi i masave anti-COVID nga partitë politike, standard i dyfishtë

Avokati i Popullit, Naim Qelaj është shprehur i shqetësuar në lidhje me mos zbatimin masave për parandalimin e pandemisë COVID-19 gjatë fushatës zgjedhore duke e quajtur standard të dyfishtë, meqë masat po sforcohen për qytetarët në situata të tjera.

Sipas një njoftimi për media, ky institucion thotë se ka vërejtur se që nga fillimi i fushatës parazgjedhore nuk janë respektuar masat anti -COVID nga ana e partive politike ndërsa në anën tjetër institucionet që kanë për obligim t’i zbatojnë këto masa nuk kanë reaguar.

“Ky është një standard i dyfishtë që nuk mund të tolerohet dhe cenon barazinë e qytetarëve para ligjit. Përveç kësaj, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e tij për rrezikimin e jetëve të qytetarëve për mos respektim të masave”, është thënë në reagimin e Avokatit të Popullit.

Tutje është thënë se Avokati i Popullit edhe njëherë rithekson obligimin që kanë të gjitha institucionet dhe partitë politike që të respektojnë masat për parandalimin e pandemisë ndërsa ka ftuar autoritetet kompetente që të ndërmarrin veprime konkrete për respektimin e këtyre masave nga subjektet politike.

Ky institucion po ashtu ka bërë të ditur se ka pranuar edhe ankesa nga qytetarët që ndërlidhen me procesin zgjedhor e që kryesisht kanë të bëjnë me verifikimin e aplikacioneve jashtë vendit, vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve nga web faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mos përfshirja e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve, si dhe mospranimi përmes emailit të ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

“Po ashtu, kërkesë e veçantë e votuesve jashtë vendit ka qenë mundësia që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këto ankesa, Avokati i Popullit i bënë thirrje KQZ-së ti shqyrtojë ato me qëllim që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar”, është në reagim.

Në fund, Avokati i Popullit ka theksuar se zgjedhjet janë të rëndësishme për vendin prandaj është në interes të të gjithëve që këto zgjedhje të jenë të lira e demokratike.

Të mërkurën e kaluar në Kosovë ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, e cila do të zgjasë deri më 12 shkurt.

Tubime me shumë njerëz kanë organizuar pothuajse të gjitha partitë në vend edhe para fushatës zgjedhore por edhe gjatë fushatës.

Për këtë cështje kishte reaguar edhe ambasada britanike në Kosovë e cila u ka bërë thirrje partive që të respektojnë masat për mbrojtje nga COVID-19 gjatë fushatës zgjedhore.

Reagon Ambasada britanike për tubimet zgjedhore me shumë njerëz

Sipas masave të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 15 janar ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave brenda një hapësire të mbyllur.

“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 24 të vendimit të Qeverisë.

Në anën tjetër, Policia vazhdon të gjobisë qytetarët për mosmbajtje të maskës apo për shkelje të tjera të parapara me Ligjin COVID-19.

Partitë politike mbajnë tubime, shkelin masat qeveritare për mbrojtje nga COVID-19