Avokati i Popullit me raport të veçantë për 175 policët - invalidë të luftës

Një raport 20 faqesh i është dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, të parit të IPK-së Exhevit Zukas, Kryesuesit të Këshillit Prokurorial Bahri Hysenit, Policisë së Kosovës, MPB-së dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi nga ana e Avokatit të Popullit në lidhje me mungesën e hetimeve efektive për 175 zyrtarët policor të cilët janë përfitues të pensionit për statutin invalid të luftës së UÇK-së.

Avokati i Popullit ka thënë se hetimet do të duhet të zhvilloheshin në një afat të arsyeshëm kohor pasi që të njëjtit zyrtar policor dyshohen se mund të kenë kryer veprën penale të mashtrimit.

Gjithashtu Avokati i Popullit ka thënë se raporti është përpilua si ‘rrjedhim logjik i hetimeve të realizuara bazuar në ankesën e disa zyrtarëve policor ndaj Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit, përkitazi me pretendimet për cenimet e një game të gjerë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutë, me instrumente ndërkombëtare si dhe me ligjet në fuqi’.

Po ashtu sipas Avokatit të Popullit, raporti vlerëson realizimin efektiv të të drejtave të zyrtarëve policor që kanë përfituar statusin e “Invalidit të Luftës së UÇK”-së, në raport me përballjen e tyre me një hetim themelorë joefektiv, me një qasje diskriminuese, shkelje të nenit 6 të Konventës, me mungesë të mjeteve juridike efektive, i përcjellë në vazhdimësi me shkelje të prezumimit të pafajësisë dhe cenimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Raporti argumenton shkeljen e të drejtave të këtyre personave në hetim dhe rekomandon Prokurorinë e Shtetit dhe Inspektoratin Policor të Kosovës që në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore sa më parë të përmbyllin hetimet lidhur me çështjen e zyrtarëve policorë që trajtoi ky raport në mënyrë që kjo çështje të marr epilog të qartë, qoftë nëpërmjet ngritjes së aktakuzës dhe parashtrimin e çështjes para gjykatës, qoftë me pushimin e hetimeve”, thuhet në raport.

Në raportin e Avokatit të Popullit për këtë çështje thuhet se më 25 shtator të  vitit të kaluar, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit ka zhvilluar një takim në Ipk ku është njoftuar se fillimisht Prokuroria Speciale e Kosovës kishte filluar proces hetimor ndaj zyrtarëve policor për krim të organizuar por për shkak se nuk kishte rezultuar me një vepër të tillë rasti ka kaluar në IPK për ta hetuar më tutje në lidhje me deklarimin e tyre me rastin e pranimit në polici pasi që të njëjtit nuk kishin deklaruar se janë përfitues të pensionit invalidor.

Gjithashtu në raport thuhet se IPK në vitin 2017 kishte marrë autorizim në Prokuroria Themelore në Prishtinë për të filluar hetimet nën dyshimin për veprën penale mashtrim.

Po ashtu në rapot përmendet edhe se IPK në atë kohë kishte rekomanduar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë që të suspendoj këta zyrtarë policor me arsyetimin se nuk janë të aftë për punë. Policia kishte organizuar ekzaminime mjekësore dhe meqë rezultatet kanë dalë mirë të njëjtit nuk kishin zbatuar rekomandimin për suspendim nga IPK.

Tutje në raport thuhet se IPK kishte marrë autorizime shtesë nga Prokuroria Themelore për të parashtruar kallëzime penale ndaj këtyre zyrtarëve policor por që të njëjtit kishin shpehur skepticizëm lidhur me qëndrueshmërinë e akuzës.

Më 5 nëntor të vitit të kaluar Avokati i Popullit i dërgoi shkresë Kryeshefes së IPK-së Miradie Kelmendit të cilën e kishte njoftuar edhe për shqetësimet e zyrtarëve policor dhe nga e cila kërkoi të informohet në lidhje me hetimet e zhvilluara nga IPK.

Më 20 nëntor 2019 Avokati i Popullit kishte pranuar përgjigje nga ana e IPK-së, sipas të cilës në fillim të vitit 2017 ishin udhëzuar nga Prokuroria Speciale që të grumbullojnë informacione preliminare lidhur me informacionet për përfitimin e statusit të invalidit të luftës nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Më 13 janar 2020 Avokati i Popullit kërkoi informacione shtesë nga IPK dhe kishte këkuar kopje të autorizimeve nga ana e prokurorisë së lëshuar për IPK-në.

Më 5 shkurt të këtij viti Avokati i Popullit nuk kishte pranuar informacione dhe përgjigje.

Më 20 shkurt, IPK kishte njoftuar Avokatin e Populit se kishin marrë udhër të prerë nga ana e Kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi që asnjë dokument të mos i përcillet Avokatit të Popullit pasi që rasti shtë nën hetime.

Avokati i Popullit ishte takuar me Kujtim Munishin në tetor të vitit të kaluar ndërsa kishin lënë takim tjetër me 8 nëntor në lidhje me këtë çështje.

Takimi ishte anuluar pasi që sipas raportit, Kryeprokurori Munishi ishte i ngarkuar me punë.

Më poshtë mund të lexoni raportin e plotë të Avokatit të Popullit: