Avokati i Popullit

Avokati i Popullit me raport për rastin e shefit të hetimeve në Pejë në lidhje me ankesën ndaj IPK

Institucioni i Avokatit të Popullit e ka pranuar ankesën e shefit të sektorit te Hetimeve në Policinë e Pejës, Agron Hasanajt, parashtruar kundër Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Në raportin e Avokatit të Popullit thuhet se IPK e kishte intervistuar Hasanajn më 26 qershor të vitit të kaluar, në cilësinë e të dyshuarit, me pretendimin për kryerjen e veprës penale – mashtrim, e cila ndërlidhet me beneficionin financiar si invalid i luftës së UÇK-së.

Por që, ai pretendon se ka kërkuar me shkrim kopjen e deklaratës së dhënë në IPK, por që kjo e fundit ka thënë se “kjo kopje mund të merret vetëm në prokurori”.

Avokati i Popullit i ka konsideruar të bazuara pretendimet e Hasanajt.

Si rrjedhojë, IAP i ka rekomanduar ministrit të Punëve të Brendshme;

1. Në pajtim me kompetencat dhe autorizimet që burojnë nga ligji, të nxjerrë udhëzim me të cilën do të kërkojë nga IPK-ja që gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, të veprojnë në përputhje me Kushtetutën, me Kodin Penal, me Kodin e Procedurës Penale, si dhe me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëritën në të ardhmen.

2. T’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të IPK-së, në kuptim të zbatimit praktik të ligjit dhe të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

3. Në kuadër të mandatit ligjor, të kërkojë nga zyrtarët përgjegjës të IPK-së që, pa vonesa të mëtutjeshme, t’ia dërgojnë z.Hasanajt kopjen e deklaratës së dhënë në IPK, më 26 qershor 2019.

Raportin e plotë të Avokatit të Popullit mund ta lexoni përmes këtij linku.