Avokati i Popullit me raport e rekomandime për rastin e këshilltarit të Albin Kurtit

10 faqe raport, ka dërguar Avokati i Popullit në Zyrën e Kryeministrit Avdullah Hoti, te Ministri i MPB-së, Agim Veliu si dhe te Kryesuesi i Komisionit për të huajt, Agron Gashi në lidhje me rastin e këshilltarit të ish- kryeministrit Albin Kurti, Tienmu Ma për refuzimin e kërkesës për leje qëndrim në Kosovë.

Avokati i Popullit ka thënë se ka pranuar ankesën e Tienmu Ma më 27 shtator të muajit të kaluar i cili kishte pretenduar në ankesë se veprimet e autoriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë shkelur të drejtat e tij kushtetuese e ligjore lidhur me trajtimin e kërkesës së tij për leje qëndrim në Republikën e Kosovës.

Raporti siç thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit, thotë se argumentohet se ka pasur shkelje të kryera nga Divizioni për të Huaj i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe po ashtu shkelje të kryera nga ana e Komisionit të Ankesave për të Huaj.

“Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit ka konstatuar se gjatë trajtimit të çështjes së z. Tienmu Ma ka pasur shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar, të së drejtës së privatësisë, si dhe të një numri të parimeve të përgjithshme të Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu Avokati i Popullit u ka rekomanduar autoriteteve përgjegjëse rishqyrtimin e çështjes në rastin e Tienmu Ma, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, me qëllim të përmirësimit të mangësive të cilat kanë shkaktuar shkeljet e konstatuara nga Avokati i Popullit.

Çka thotë raporti i Avokatit të Popullit:  

Në gjithsej 10 faqe janë përshkruar veprimet dhe rekomandimet që janë ndërmarrë në lidhje me rastin e këshilltarit të ish- kryeministrit Albin Kurtit, Tienmu Ma.

Sipas raportit, më 27 shtator të vitit 2020, Avokati i Popullit ka pranuar ankesën e Tienmu Ma, shtetas amerikan, në lidhje me veprimet e autoriteteve përkatëse lidhur me trajtimin e kërkesës së tij për leje qëndrimi në Republikën e Kosovës. Ankuesi në këtë rast Ma, kishte pretenduar se veprimet e autoriteteve të Qeverisë së Kosovës kishin paraqitur shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast të tij.

Më 30 mars të këtij viti sipas Avokatit të Popullit, Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendim për shtyrje dhe pezullim të afatit të procedurës administrative dhe vazhdimin e lejes dhe licencave.

Më 7 prill Tienmu Ma kishte paraqitur kërkesë për leje qëndrimi në Kosovë më saktësisht në Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim, Divizioni për të Huajt në lidhje me shqyrtimin e leje qëndrimit.

Ma më 29 prill 2020 sipas raportit të Avokatit të Popullit, ka pasur një komunikim përmes postës elektronike me zyrtar të Departamentit për të Huaj me ç’rast është njoftuar se nuk i plotësonte kriteret për të qëndruar në Kosovë.

Gjithashtu sipas raportit thuhet se më 6 korrik, ministri i MPB-së dhe koordinatori i Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve kishin nxjerrë një vendim për shtyrje dhe pezullim të afateve në procedurë administrative dhe vazhdim të lejeve dhe licencave me të cilin është shfuqizuar vendimi i 30 marsit.

Më 20 gusht, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim si organ administrativ i shkallës së parë, kishte nxjerrë një vendim me të cilin ankuesit Tienmu Ma i është refuzuar kërkesa për leje qëndrim ndërsa më 21 gusht po i njëjti departament kishte marrë vendim për largimin vullnetar të Masë nga Kosova.

Më 2 shtator Tienmu Ma kishte parashtruar ankesë në Komisionin e Ankesave për të Huajt me të cilën ankesë ka kërkuar shfuqizimin e vendimeve të organit të shkallës së parë.

Më 21 shtator Komisioni i Ankesave për të Huajt kishte nxjerrë vendimin me të cilin i kishte refuzuar ankesën Tienmu Ma duke i lënë në fuqi vendimet për largim nga Kosova.

Më 1 tetor Avokati i Popullit thotë se pas shqyrtimit të ankesës ka vlerësuar se ankuesi mund të pësonte dëme të riparueshme dhe në këtë mënyrë ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pezullimin e vendimeve deri në përfundim të hetimeve nga ana e Avokatit të Popullit.

Më 9 tetor sipas raportit, Kryeministri Hoti ka njoftuar Avokatin e Popullit se ka pezulluar ekzekutimin e vendimit për largimin e Tienmu Ma nga Kosova.

Më 13 tetor 2020 Avokati i Popullit ka dërguar shkresë në MPB për të kërkuar informacione nëse vendimi për shtyrjen dhe pezullimin e afateve si dhe vazhdimin e lejeve dhe licencave është akoma në fuqi dhe se i njëjti vendim a ka qenë në fuqi edhe në kohën kur Departamenti për Shtetësi Azil dhe Migrim ka trajtuar ankesën e Tienmu Ma.

Më 16 tetor ministri i MPB-së, Agim Veliu ka njoftuar Avokatin e Popullit nëse vendimi për shtyrje dhe pezullim të afateve në procedurë administrative dhe vazhdim të lejeve dhe licencave është shfuqizuar në tetor të këtij viti.

“Po ashtu ministri i MPB-së, ka njoftuar se Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim i MPB-së në bazë të evidencës posedon nga baza e të dhënave nga data 6 korrik 2020 deri në datën 20 shtator 2020 ka nxjerrë gjithsej 913 vendime nga fushëveprimi i Departamentit për Shtetësi Azil dhe Migrim”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Gjithashtu Avokati i Popullit sipas raportit ka konsideruar se përgjigja e MPB-së nuk ka qenë e plotë pasi që ka dhënë informacione të përgjithshme por jo për rastin konkret siç është ai i Tienmu Ma.

Konstatimet e Avokatit të Popullit:

Avokati i Popullit ka listuar shkeljet e kryera nga Divizioni për të Huajt në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migrim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Te konstatimet thuhet se ka pasur mosrespektim të vendimit për shtyrje dhe pezullim dhe zgjatje të afateve, pasi që vendimi ka konfirmuar pezullimin e mëhershëm të afateve.

Avokati i Popullit ka konstatuar se është shkelur edhe neni 11 i Ligjit për procedurën e Përgjithshme Administrative. Në këtë rast Avokati i Popullit ka thënë se ka vërejtur se zyrtarët e Divizionit për të Huaj, nuk e kanë njoftuar paraprakisht palën se me gjithë shtyrjen dhe pezullimin e afateve përkatëse ata do të nxjerrin vendim për rastin e tij.

Avokati i Popullit ka thënë se Tienmu Ma nuk ka qenë i informuar në lidhje me vendimin për rastin e tij.

Avokati i Popullit gjithashtu ka konsideruar se Komisioni i Ankesave për të Huajt ka marrë vendim në kundërshtim me një vendim tjetër atë të pezullimit dhe zgjatjes së afateve në procedurë administrative si dhe vazhdim të lejeve dhe licencave, madje nuk është përmendur fare se ekziston një vendim i tillë.

Sipas Avokatit të Popullit, Komisioni i Ankesave për të Huaj ka cituar si arsye të refuzimit të leje qëndrimit, konstatimin se pala nuk ka dëshmuar që ka mjaft qarkullime bankare në bazë të kontratës së punës dhe një pasqyre të llogarisë bankare.

Avokati i Popullit ka konstatuar se në rastin e Tienmu Ma ka pasur shkelje në të drejtën për të mos u diskriminuar, të drejtën e privatësisë dhe parimeve të përgjithshme administrative.

Gjithashtu Avokati i Popullit ka konsideruar se rasti i Tienmu Ma është përcjellë përmes portaleve, rrjeteve sociale me një gjuhë me elemente të nxitjes së urrejtjes në baza racore dhe etike.

Rekomandimet e Avokatit të Popullit:

Avokati i Popullit ka rekomanduar Komisionin e Ankesave për të Huajt ndryshimin e vendimit me të cilin ka refuzuar ankesën e Tienmu Ma për leje qëndrim në Kosovë si dhe rishqyrtimin e çështjes duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.