Avokati i Popullit konstaton shkelje të të drejtave të pacientëve gjatë pandemisë COVID-19

Avokati i Popullit ka publikuar raportin rreth vlerësimit të realizimit të të drejtave shëndetësore gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Raporti ka të bëjë me qasjen në kujdes dhe trajtim shëndetësor, kryesisht në institucionet e nivelit sekondar dhe terciar, duke u ndalur në veçanti tek kufizimet në ofrimin e shërbimeve shëndetësore (vizitat specialistike dhe operacioneve selektive), për personat që nuk ishin të infektuar me COVID 19.

Ky raport përfshin periudhën prej mars deri në shtator 2020.

Në raport thuhet se gjatë emergjencës shëndetësore në Republikën e Kosovës kishte shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Sipas Avokatit të Popullit, autoritetet përkatëse kanë dështuar të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore kundrejt qytetarëve, që potencialisht kanë pasur nevojë për shërbime shëndetësore.

Raporti po ashtu konstaton se një ndër sfidat tjera gjatë periudhës së raportimit ishte mungesa e bombolave të oksigjenit dhe krijimi i hapësirave shtesë me shtretër për të hospitalizuarit me COVID-19.

Ndër të tjera, raporti konstaton se veprimet e autoriteteve shëndetësore për ndërprerjen e operacioneve selektive dhe ambulancave specialistike, ishte pa bazë juridike dhe po ashtu nuk kishin lënë asnjë lloj alternative se ku mund të trajtoheshin këta persona dhe shteti nuk kishte marrë përgjegjësitë që i takonin.

Raporti më tej thekson se mbrojtja e të drejtave dhe e lirive themelore të njeriut është thelbësore dhe shumë e rëndësishme për një përgjigje efektive në parandalimin dhe trajtimin e rasteve me COVID 19, por pa lënë anash cilindo qytetar/e që kërkon shërbime në institucionet shëndetësore, me fokus të veçantë të grupet e ndjeshme dhe personat tjerë, të cilëve u duhet përkujdesje e vazhdueshme shëndetësore.

Raporti rekomandon Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe t’i krijojë të gjitha parakushtet që vizitat specialistike dhe operacionet selektive të kryhen pa pengesa. SHSKUK-ja po ashtu rekomandohet që të vazhdojë me vendosjen e rezervuarëve të oksigjenit në spitalet e përgjithshme ku është nevoja dhe të mos përsëriten situata të mungesës së oksigjenit për pacientët.

Rekomandimet i bëhen edhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për të rritur buxhetin për shëndetësinë dhe derisa të sigurohet zbatimi të ligjit për sigurime shëndetësore, në situatat kur shërbimet shëndetësore nuk mund të ofrohen nga sektori publike, qytetarëve t’u mundësohet që këto shërbime t’i marrin nga sektori privat dhe qeveria t’i marrë përsipër shpenzimet.

Ministria e Shëndetësisë rekomandohet që të funksionalizojë sistemin unik dhe të integruar të informimit shëndetësor dhe po ashtu të ndërmerr të gjitha masat ligjore për t’i detyruar institucionet private shëndetësore që t’i grumbullojnë të dhënat shëndetësore, t’i ruajnë dhe t’i raportojnë ato.

Në lidhje me këtë raport ka reaguar edhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK.

Sipas tyre, Avokatit i Popullit ka konstatuar shumë shkelje të të drejtave të pacientëve të pretenduara nga PRAK.

“Pas ankesave të shumta të paraqitura në adresë të Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK për ndërprerjen e shërbimeve shëndetësore selektive, PRAK me datë 16 gusht 2020 i është drejtuar Avokatit të Popullit për të konstatuar se nëse ndërprerja e shërbimeve shëndetësore paraqet shkelje të të drejtave të pacientëve. Me datë 11 mars, Avokati i Popullit ka nxjerr një raport 22 faqesh ku janë konstatuar shumë shkelje të të drejtave të pacientëve”, thuhet në reagim.