Avokati i Popullit konstaton se institucionet nuk e vlerësuan si duhet rrezikun në rastin e vrasjes dhe vetëvrasjes në ‘Emshir’

Avokati i Popullit, në pajtueshmëri me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor, ua ka përcjellë autoriteteve përgjegjëse raportin “ex officio” që ka të bëjë me vlerësimin e detyrimeve të organeve shtetërore për të mbrojtur jetën e qytetarëve nga dhuna në familje.

Sipas një komunikate për media, raporti trajton veprimet dhe mos mosveprimet e shtetit përkitazi me të drejtën për jetë, lidhur me vrasjen dhe vetëvrasjen e cila ndodhi më 14 mars 2021, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, me ç’ rast një burrë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, e pastaj bëri vetëvrasje.

“Raporti analizon zbatimin e dispozitave kushtetuese, instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ligjeve, politikave dhe strategjive kundër dhunës në familje”, thuhet në komunikatë.

Në këtë raport konstatohet se autoritetet përgjegjëse nuk e kishin vlerësuar mjaftueshëm rrezikun, përkundër faktit se viktima e kishte deklaruar atë, se kishte munguar koordinimi i veprimeve ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, nuk ishte njoftuar mbrojtësi i viktimave, si dhe nuk ishte përpiluar ndonjë plan sigurie për viktimën.

“Raporti gjen po ashtu se Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje në Kosovë në këtë rast nuk janë respektuar”, thuhet tutje në komunikatë.

Raporti i është dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetit, kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës Skender Çoçaj,  kryesuesit të Këshillit Prokurorial Jetish Maloku dhe menaxherit të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Basri Kastratit.

Nga një kopje e raportit i është dërguar edhe kryetares së Komisionit Parlamentar për të Drejtat e NjeriuT, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione Duda Balje, si dhe drejtorit të Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini.

Raportin e Avokatit të Popullit mund ta shihni në këtë LINK.