Avokati i Popullit

Avokati i Popullit kërkon të rishqyrtohen masat e Qeverisë kundër COVID-19

Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes një opinioni juridik për masat aktuale kundër COVID-19, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të rishqyrtojë masën e kufizimit të qarkullimit nga ora 22:00 deri në orën 5:00.

Ky institucion ka theksuar se rishqyrtimi duhet bërë, duke precizuar se në vend të kësaj do të ishte më e dobishme që të fuqizoheshin mekanizmat e kontrollit sanitar dhe inspektoratet, në mënyrë që të ushtrohen kontrolle më të shpeshta për të vlerësuar nëse janë duke u zbatuar masat e përgjithshme.

Ndër të tjera, ky opinion përmend edhe praktikat e vendeve të rajonit ku asnjë prej tyre nuk kërkon nga qytetarët që hyjnë në territoret e tyre t’i kenë tri doza të vaksinës.

“Tutje opinioni gjen se pjesa më e madhe e shteteve, që nga fillimi i pandemisë, në hyrje-dalje të kufijve të tyre i kanë pranuar testet ‘antigen’, të cilat janë më të shpejta dhe më të përballueshme për xhepin e qytetarëve”, thuhet më tutje.

Aty potencohet që në pikat kufitare të Kosovës, qytetarëve u kërkohet testi RT-PCR, i cili sipas Avokatit të Popullit është dyfish më i shtrenjtë dhe merr shumë kohë për t’u përpunuar në laborator.

Opinionin juridik të plotë të Avokatit të Popullit mund ta gjeni KËTU.

Sipas të dhënave zyrtare, në total numri i rasteve aktive në Kosovë është 32 mijë e 906.

Më 21 janar, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër COVID-19 pas rritjes së rasteve pozitive me këtë virus.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë certifikatën e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Tutje në vendim përcaktohet se shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë  ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Qeveria ka marrë vendim që shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00 kurse muzika lejohet vetëm deri në orën 20:30.

Qeveria ka kthyer orën policore nga ora 22:00 deri në ora 05:00.