Avokati i Popullit

Avokati i Popullit kërkon nga mediat të mos i publikojnë emrat e personave në karantinë

Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se ka pranuar me shqetësim njoftimin se disa portale kanë publikuar lista me emra dhe mbiemra, e shumë informata tjera, për personat që janë urdhëruar të izolohen në karantinë për shkak të coronavirusit.

“Këto publikime bien në kundërshtim me shumë norma juridike dhe po ashtu në disa rregullore që i dedikohen vet-rregullimit të mediave. Kushtetuta e Kosovës e rregullon shumë mirë këtë çështje e në veçanti neni 36  [E Drejta e Privatësisë], Ligji Nr. 06/L-082 Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligji Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, dhe Ligji Nr.2004/38 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit u është drejtuar portaleve që të largojnë këto lajme në mënyrë që mos të ri-publikohen nga portalet e tjera. Po ashtu, Avokati kërkon nga mediat dhe gazetarët që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e të dhënave personale të personave në vetë izolim, karantinë, të diagnostikuar me coronavirus, dhe të hospitalizuar, përveç ato që jepen me pëlqimin e personit.

“Mediat janë duke luajtur një rol të madh në këtë mes duke dërguar gazetarë po ashtu deri në vijën e parë të frontit për të shpërndarë informacionet e duhura për publikun. Mediat kanë edhe obligimet e veta për të përmbushur sipas Kodit Etik dhe dokumenteve tjera vet-rregulluese”, vazhdon njoftimi i Avokatit të Popullit.

Avokati nënvizon rekomandimet e fundit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) për të gjitha mediat rreth raportimit të tyre mbi situatën me COVID-19. Rekomandimet e KMShK-së mund t’i gjeni KËTU.

Edhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ) u ka bërë thirrje mediave në Kosovë që të përmbahen nga intensifikimi i tensioneve në kohën kur vendi po përballet me krizën shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e coronavirusit.

EFJ thekson se futja në karantinë e Mitrovicës së Veriut është mbuluar në mënyrë të papërshtatshme dhe joetike nga mediat.

Federata Europiane e Gazetarëve ka reaguar sidomos ndaj qëndrimeve dhe pyetjeve provokuese të bëra nga një gazetare e RTK-së teksa raportonte drejtpërdrejt nga Mitrovica e Veriut në lajmet e së shtunës në mbrëmje, të cilat, sipas saj, ngjallën një valë reagimesh në Kosovë.

Raportimet e tilla, sipas EFJ, rrezikojnë të kontribuojnë në ngritjen e tensioneve midis komunitetit serb dhe shqiptar.

Po ashtu, organizata përmend edhe raportimin e portalit Sinjali, i cili, sipas EFJ, shkaktoi polemikë pas pas publikimit të emrave, adresave dhe datat e lindjes të 210 qytetarëve, kryesisht serbë dhe romë, të cilët ishin vendosur në karantinë në Mitrovicën e Veriut dhe qytete të tjera.

Edhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës dhe palëve të involvuara që të mbështesin të drejtat e njeriut gjatë luftës kundër COVID-19. Po ashtu, shefi i UNMIK-ut përsërit thirrjen e fundit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për të respektuar të drejtat e pacientëve për privatësi dhe përmbajtjen nga zbulimi i të dhënve personale, duke përfshirë edhe mediat.