Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Avokati i Popullit i kërkon Ministrisë së Kulturës ribërjen e rregullores për formimin e ansambleve rezidente të aktorëve të teatrove publike

Institucioni i Avokati të Popullit (IAP) i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të ndryshojë dhe të harmonizojë Rregulloren (Rregulloren nr. 04/2021), për Ndryshim plotësimin e Rregullores (nr. 04/2019), për Themelimin dhe funksionin e Ansamblit Rezident të Aktorëve (ARA) të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve me Rregulloren e Qeverisë (nr. 15/2018) për Gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore.

Avokati i Popullit ka konstatuar se MKRS përmes Rregullores nr.04/2021, është dashur të sqarojë çështjen e përvojës së punës së aktorëve të TKK-së dhe teatrove të qyteteve, gjatë kategorizimit dhe ta harmonizojë atë në përputhje me rregulloren e Qeverisë, më nr. 15/2018.

Por, përmes një raportit të nxjerrë muajin e kaluar Avokati i Popullit ka konstatuar se edhe Rregullorja nr. 04/2021 nuk është në përputhje me Rregulloren qeveritare për gradat dhe paga e krijuesve dhe performuesve të artit të nxjerrë në 2018.

Sipas raportit të IAP-së me gjithë plotësim-ndryshimin e Rregullores 04/2021,  MKRS nuk ka adresuar si duhet çështjen e gradimit të ansambleve rezidente, madje, aty konstatohet se kjo ministri edhe e ka tejkaluar Rregulloren nr. 15/2018, duke e lënë të pa qartë çështjen e përvojës së aktorëve të teatrove të qyteteve dhe llogaritjet e saj për kategorizim të aktorëve sipas Rregullores nr. 04/2021.

Raporti i IAP-së lidhur me Rregulloren 04/2021 vjen pas ankesës së Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar, e cila kishte evidentuar mos harmonizimet e Rregulloren e MKRS për formimin ansambleve rezidente të teatrove, sidomos paqartësi sa i përket kritereve të gradimit të aktorëve të këtyre trupave.

Raporti i Avokatit të Popullit

Në fillim të muajit të kaluar, Avokati i Popullit ka nxjerrë një raport (një kopje të së cilit e posedon KALLXO.com) përmes së cilit i rekomandon MKRS që të harmonizojë Rregulloren nr. 04/2021 me Rregulloren e Qeverisë 15/2018.

Sipas IAP-së, ndryshimet e bëra në Rregulloren nr. 04/2021 për Ndryshim-plotësimin e Rregullores nr. 04/2019, për Themelimin dhe funksionimin e Ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve nuk janë harmonizuar me Rregulloren qeveritare nr. 15/2018, konkretisht nuk e ka sqaruar përvojën e fituar në teatrot e qyteteve si kriter gjatë gradimit të aktorëve të Trupës Rezidente të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.

IAP konstaton se përmes Rregullores 04/2021, MKRS-së e ka tejkaluar Rregulloren e Qeverisë nr. 05/2018.

“MKRS duhet të ndryshojë dhe ta plotësojë Rregulloren nr. 04/2021 për Ndryshim-plotësimin e Rregullores (nr. 04/2019), për Themelimin dhe funksionin e Ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve me rregulloren e Qeverisë (nr. 15/2018) për Gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore, duke dhënë sqarimet të detajuara edhe për përvojën e aktorëve të realizuar në teatrot e qyteteve dhe llogaritjen e saj si kriter për kategorizim sipas kësaj rregulloreje”- thuhet në raportin e IAP-së.

Në një përgjgije për KALLXO.com, MKRS thotë se e kanë pranuar raportin e IAP-së dhe se janë duke e trajtuar atë.

“Jemi duke e trajtuar raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit brenda afatit, me gjithëse një përgjigje ndaj raportit për Avokatin e Popullit është bërë nga Zëvendsuesi i Sekretarit të Përgjithshëm me nr.protokolli. 1520/2022 datë 08.04.2022”- thuhet në përgjigjen e MKRS për KALLXO.com.

Në një prononcim për  KALLXO.com, Naim Berisha, nënkryetar i Shoqatës Sindikale të TKK-së, ka thënë se dy rregulloret e sipërpërmendura të MKRS janë bërë në mënyrë të kundërligjshme, dhe nuk ka qëllim të rregullojë në mënyrë meritore çështjen e gradimit dhe kategorizimit të aktorëve veçmas të TKK. Ai thotë se me inkorporimin e kritereve kundërligjore dhe diskriminuese ka  avancuar në mënyrë jomeritore një grup të aktorëve, duke diskriminuar një numër të konsiderueshëm të aktorëve tjerë të këtij institucioni me përvojë mbi dhjetë vjeçare.

“Me rastin e plotësimit dhe ndryshimit që pritet të bëhet, presim që Ministria e Kulturës të jetë transparente dhe të përfshijë në grupin punues përfaqësuesin e SHSTKK-së dhe gjatë plotësimit dhe ndryshimit të marrë parasysh zbatimin e ligjit e jo të interesave meskine dhe të kundërligjshme të individëve dhe grupeve të caktuara të cilët tani e katër vjet vazhdojnë të privilegjohen duke përfituar nga një akt normativ kundërligjor”- ka thënë ai.

Berisha ka thënë se SHSTKK-së nuk është ftuar që të jetë pjesë grupit punues që ka punuar në Rregulloret për Themelimin dhe funksionin e Ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.

Rregullorja për themelimin dhe Funksionimin e ARA të TKK-së dhe Teatrove të qyteteve është dokument bazë mbi të cilin rregullohet çështja e kategorizimit dhe gradimit të aktorëve të ARA të TKK-së.