Avokati i Popullit heton rritjen e çmimit të sigurimit të veturave

Ndaj vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për shtrenjtimin e sigurimeve për veturat, ka reaguar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit dhe është duke e hetuar rastin.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka deklaruar se do të marrin një vendim të shpejt, pasi kanë hapur hetim ekzoficio në bazë të informacioneve që i posedojnë tash e një muaj lidhur me çmimin e ngritur për sigurimet.

Avokati Jashari ka folur edhe për ligjin për zyrtarë publikë, i pezulluar ditë më parë nga Kushtetuesja, teksa ka theksuar se për ligjin për paga ende nuk kanë vendos për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse kanë pranuar mbi 20 ankesa për këtë ligj nga institucione të ndryshme.

“Sa i përket çështjes së sigurimeve të veturave, kemi hapur rastin dhe është në shqyrtim e sipër në Institucionin e Avokatit dhe varësisht prej analizës dhe hetimeve që bëjmë lidhur me këtë rast do të kemi edhe reagimin. Meqenëse se është çështje e interesi e përgjithshëm, do të njoftojmë opinionin për gjetjet tona lidhur me rastin. Kemi hapur si hetim ekzoficio mbi bazën e informatave që kemi pasur nga publiku, diku para një muaj është hapur si rast”, thotë Jashari.

Pezullimi i ligjit për zyrtarë publikë për tre muajt e ardhshëm është mirëpritur nga Jashari, sipas të cilit ka cenuar dispozitat kushtetuese, sidomos institucionet e pavarura, gjë që ka shkaktuar pasoja.

“E kemi dërguar si rast në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka aprovuar masën tonë të përkohshëm për pezullimin e zbatimit të këtij ligji derisa të nxjerr vendimin e përfundimtar nëse është në pajtueshmëri apo jo. Sigurisht që nuk është për neve tanimë me gjykua ose me paragjykua se çfarë do të jetë vlerësimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo megjithatë duket që masa e përkohshme ka pasur efektin e dëshiruar nga ana jonë, sepse kemi konsideruar që ka shkaktuar pasoja për gjithë sistemin, edhe që gjykata ka parë të arsyeshme që ta miratoj këtë masë të përkohshme. Presim tash vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Jashari.

Vetëm pasi të bëhet i plotfuqishëm nga 1 dhjetori, ligji për pagat mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, por Institucioni i Avokatit të Popullit ende nuk ka vendosur se a do ta dërgojë në kushtetuese, edhe pse ka pranuar 20 ankesa për këtë ligj.

Jashari thotë se ende janë duke punuar për shqyrtimin e tij.

“Lidhur me ligjin për pagat, është në procesin e shqyrtimit, kemi pranuar më tepër se 20 ankimime nga institucione, organizatat dhe sindikata të ndryshme lidhur me këtë ligj. Është në proces të shqyrtimit, posa të kemi përfunduar procesin e shqyrtimit sigurisht që do të dalim me qëndrimin tonë përfundimtar nëse do të dërgojmë këtë rast në Gjykatën Kushtetuese”, pohon ai. Edhe KMDLNJ ka kundërshtuar shtrenjtimin e sigurimit të veturave, dhe ka ftuar qytetarët për të protestuar para BQK-së. Ndërsa, janë mbajtur dy protesta për kundërshtimin e ngritjes së tarifave prej 26.6 përqind për sigurimin e veturave./ RTV 21