Avokati i Popullit

Avokati i Popullit fton institucionet të pengojnë degradimin e mëtutjeshëm të mjedisit

Institucioni i Avokatit të Popullit sot i është bashkuar fushatës botërore “Restaurimi i Ekosistemit”.

Avokati i Popullit, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit, shëndetit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, fton autoritetet kompetente që me hapa të përshpejtuar të ndërmarrin masa në drejtim të pengimit, mosdegradimit, mënjanimit dhe përmirësimit të mjedisit.

Sipas Avokatit të Popullit, pavarësisht obligimit kushtetuese për mbrojtje të mjedisit, bazës së mjaftueshme ligjore, vendi ende nuk ka arritur të bënte kthesë me të cilën do të zbeheshin ndërhyrjet arbitrare në ujë, ajër dhe tokë.

Ajri jocilësor, uji i ndotur, shkarkimet e pakontrolluara, ndërhyrjet pa kriter në tokë, gurëthyesit dhe gurishtat, ndërtimet pa kriter jashtë parimeve të mirëfillta të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, dëmtimi i pyjeve, mosarritja e menaxhimit të duhur të mbeturinave, zhurma, mungesa e aktiviteteve rehabilitues etj. ka vazhduar me temp të njëjtë, thuhet më tej në komunikatën e Avokatit të Popullit.