Intervistë me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avokati i Popullit flet për gjobitjen nga Policia të çiftit për puthje në publik

Avokati i Popullit në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se institucionet e sigurisë duhet të veprojnë në bazë të ligjit atëherë kur rrezikohet rendi dhe qetësia publike.

Pesë ditë më parë një çift u dënua me 900 euro, 450 euro secili, për thyerje të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike neni 6 pika 2.

Zyrtarë policorë kishin konstatuar se çifti kishte shfaqur sjellje të pahijshme pasi ishin puthur mes vete në afërsi të një klubi nate në Prishtinë.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Institucionin e Avokatit të Popullit.

“Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e të gjitha institucioneve të rendit që në veprimet e tyre, të kujdesen dhe të zbatojnë parimin e ligjshmërisë siç është përcaktuar në nenin 3 të ligjit për kundërvajtje dhe të veprojnë vetëm në ato raste kur rrezikohet rendi dhe qetësia publike ose vlerat shoqërore të garantuar me Kushtetutë”, thuhet në përgjigjet e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, për KALLXO.com.

Tutje në përgjigje thuhet se deri më tani ky institucion të cilin e drejton Qelaj nuk ka pranuar asnjë ankesë lidhur me këtë çështje.

“Rrjedhimisht, Avokati i Popullit nuk mund të sjellë ndonjë konstatim për ndonjë ngjarje e cila paraprakisht nuk ka qenë objekt hetimi në Institucionin e Avokatit të Popullit. Për më tepër, Avokati i Popullit thekson se në këtë rast pala e pakënaqur ka mundësi që të përdorë mjetin juridik tek organet kompetente në Policinë e Kosovës”, thuhet tutje në përgjigje.

Në anën tjetër KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme se ish- gjyqtarja e Gjykatës së Lartë për Kundërvajtje në Prishtinë, Biljana Rexhiq, e ka konsideruar joligjore gjobitjen e çiftit pasi puthja sipas saj nuk konsiderohet prishje e rendit dhe qetësisë publike.

Madje ajo shtoi se Policia nuk ka kompetencë të dënojë me gjobë një person i cili mund të dënohet me shumë se 500 euro aq sa e ka të përcaktuar Policia, e në këtë rast të njëjtit do të duhej që rastin ta referonin për në gjykatë.

Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ka hapur rast për gjobën që kishin shqiptuar zyrtarët policorë ndaj një çifti të cilët kishin shkëmbyer puthje në afërsi të një klubi nate.

Gjoba në total kushton 900 euro, pasi sipas dokumenteve që ka siguruar KALLXO.com janë dënuar çifti me nga 450 euro secili.

Në lidhje me këtë gjobë KALLXO.com ka raportuar mbrëmjen e kaluar ndërsa avokati i palës së gjobitur në këtë rast e ka kundërshtuar dënimin me gjobë.

Ish-gjyqtarja për kundërvajtje: Policia nuk ka kompetencë për të dhënë gjoba të tilla për puthje në publik

www.kallxo.com