Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Avokati i PDK-së flet për mundësinë e 'trenit bullgar' në Skenderaj
Faton Fetahu, avokati i kandidatit të PDK-së për Han të Elezit, thotë se është e pamundur të ndodhë në këto momente ‘treni bullgar’ në Skenderaj.
“Pavarësisht se pretendimet e tilla i kemi dëgjuar në Skenderaj, në aspektin ligjor është një fakt: Është vështirë i realizueshëm ky “tren bullgar”, tani kur procesi zgjedhor është avancuar paksa dhe ta theksojmë faktin se në materialet sensitive, sepse fletëvotimet kanë numër serik dhe është vështirë e realizueshme ky ‘tren bullgar’”, tha Fetahu në emisionin ‘Kallxo Përnime”.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte konstatuar se tetë fletëvotime kanë qenë të pavulosura në kutinë e votimit për kryetar të Komunës së Skenderajt.
Ankesat janë të parashtruar nga subjekti i Bekim Jasharit, i cili kishte ngritur dyshimet për parregullsi dhe vjedhje të votave të sistemit të “trenit bullgar” gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor në Skenderaj.
“Treni bullgar” nënkupton rastin kur votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër.