Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri me zyrtarë të tjerë të LDK-së, Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook
Avokati i kryetarit të Pejës: Muhaxheri beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar mëngjesin e datës 26.10.2024 në rrugën “Bill Klinton” në qytetin e Pejës.
Avokati i të parit të Pejës, Dukagjin Kerveshi ka thënë që Muhaxheri është sulmuar nga dy persona derisa ishte duke u larguar nga një lokal në vendin e njohur si “Qendra Zejtare” pasi kishte pirë kafe me një familjar të tij.
Kerveshi e ka pershkruar sulmin si të befasishëm.
“Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare” – ka shkruar Kerveshi në profilin e tij në Facebook më 26.10.2024.
Ai më tej ka njoftuar se gjendja e kryetarit të Pejës është stabile.
“Duke besuar në efikasitetin e organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar” – ka përfunduar njoftimin i avokatit Kerveshi në Facebook.
Edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri pak orë pas sulmit nga dy persona të dyshuar ka njoftuar se është mirë.
“Jam shëndosh e mirë”- ka shkruar kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri pak orë pas një sulmi të cilin e pati nga dy persona të dyshuar, më 26.10.2024.
Në rrjetin e tij social Facebook, Muhaxheri ka reaguar se tashmë është në mes të miqve të tij si dhe është mirë me shëndet.
“I rrethuar mes miqve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falënderoj të gjithëve për interesimin”- ka shkruar Muhaxheri deri sa në fotografi shihet në shoqëri të disa personave.
Në anën tjetër Policia në Pejë ka thënë se kryetari Muhaxheri ka marrë edhe lëndime trupore.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit te shtetit te dyshuarit ndalohen për 48-ore” – ka thënë Driton Rugova nga Policia në Pejë më 26.10.2024.
Shkodran Nikçi nga Prokuroria në Pejë i ka thënë KALLXO.com se tashmë janë duke u ndërmarrë gjitha veprimet për të zbardhur situatën ndërsa prokurori ka marrë vendim qe te dyshuarit të dërgohen në mbajtje.
Pas sulmit ndaj të parit të Pejës ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”- ka shkruar Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook më 26.10.2024.
Në një njoftim tjetër, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se ka vizituar kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxherin në shtëpinë e tij në Pejë.
“E gjetëm edhe më të fortë e edhe më të vendosur në misionin e tij shembullor të udhëheqjes së Pejës – qytetit për të cilin punon me guxim, pasion e energji të pashterrshme” – ka shkruar më tej Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku i ka bërë thirrje edhe një herë autoriteteve të rendit e drejtësisë t’i marrin hapat e domosdoshëm dhe të menjëhershëm në zbardhjen e plotë të këtij sulmi.
“E në mbajtjen përgjegjës të autorëve që me dhunë e intimidim provojnë të ndalin një udhëheqës të lirë, me plot vullnet e energji” – ka përfunduar Abdixhiku më 26.10.2024.