Avokati i Gucatit: Gjykata Speciale duhet të ndjekë edhe krimet e kryera nga serbët

Në seancën që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës, avokati i të akuzuarit Hysni Gucati, Jonathan Elystan Rees ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në mungesë të kompetencave në Serbi, po vepron në mënyrë selektive në Kosovë.

“Qasje selektive që është pjesë e brendshme e mandatit të ZPS që del si rezultat i ligjit, e shprehin qartë që kjo përqasje është përzgjedhëse për shkak të mungesës së kompetencave të ZPS-së në Serbi. Që kjo është e qartë nuk shpjegon pavarësisht se në fakt pasqyrohet nga përzgjedhja selektive që ka marrë ZPS, sa i përket interpretimit të ligjit në këtë çështje, është një përzgjedhje selektive që ka çuar në arrestimin dhe gjykimin e këtyre dy të akuzuarve”, ka deklaruar avokati.

Rees është shprehur i shqetësuar sa i përket faktit se si ligji kërkon që ZPS-ja të veprojë në mënyrë të pavarur krahasuar me autoritetet e Kosovës, por të njëjtën gjë nuk e parasheh edhe për Serbinë.

“Mandati i saj është për të hetuar krimet e bëra gjatës luftës së Kosovës, luftë ndërmjet shtetit serb apo luftë agresive e ndërmarrë nga shteti serb në Kosovë, që ky mandat t’i trajtojë ndryshe autoritetet kosovare apo serbët, sistemi i drejtë do të ishte ai i cili do të kishte të njëjtat kompetencat ligjore për të vepruar si në Serbi ashtu edhe në Kosovë”, ka shtuar Rees.

Lidhur me këtë, avokati ka thënë se edhe i mbrojturi i tij ka shfaqur kundërshtime se Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS nuk po i hetojnë të gjitha krimet e luftës që janë kryer në Kosovë gjatë asaj kohe.

“Si pjesë e kësaj ai ka shprehur shqetësim se si prokuroria është marrë me atë që i përshkruan ose ka pasur marrëdhënie me atë që i përshkruan zyrtarët famëkeq serbë, njerëz që janë përshkruar edhe këtu në gjykatë, por edhe në artikuj në gazeta që kanë qenë persona që janë marrë me masakra në luftën e Kosovës”, tha ai.

Tutje Rees ka thënë se kjo qasje nuk është e barabartë, prandaj, sipas tij ZPS-ja duhet të ndjekë edhe krimet e kryera nga serbët dhe Serbia.

“Gjykata Speciale që është ngritur duhet të ndjekë edhe krimet e kryera nga serbët dhe Serbia, nuk e mendoj që është e drejtë e barabartë kjo lloj drejtësie. Unë nuk po bëj asnjë por, ata duhet ta bëjnë punën e tyre të drejtë dhe në mënyrë të barabartë. Këto nuk janë sofizma nga Gucati, sigurisht i takon trupit gjykues që të vlerësojë Gucatin, si njeri, si dëshmitar, por një gjë që nuk mund të mendoni për të, që ai është një njeri i sofistikuar, ai përpiqet që të flasë sa më qartë dhe drejtpërdrejtë që të jetë e mundur”, ka përfunduar avokati.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator të vitit 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, “gënjeshtarë”, “bashkëpunëtorë” dhe “tradhtarë”.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020, nga ku edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.