Fadil Kodra, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avokati i Fadil Kodrës: Klienti im u shkarkua pasi nuk iu nënshtrua vullnetit politik të Sveçlës e Kurtit

Kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Fadil Kodrën.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Zyrës së Kryeministrit, ku është thënë se Kodra është shkarkuar nga puna për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale.

Vendimi është marrë nga MPB më 13 tetor 2022, dhe është nënshkruar një ditë më pas nga kryeministri, Albin Kurti, duke bërë që vendimi automatikisht të hyjë në fuqi.

Lidhur me këtë, avokati i Kodrës, Faton Fetahu, në një deklaratë me shkrim ka thënë se vendimi është i kundërligjshëm.

Fetahu tha se konsideron se ky vendim përbën një hakmarrje të ulët që ka për qëllim njollosjen e figurës dhe reputacionit të tashmë ish-drejtorit të AME-së, Fadil Kodra.

Fetahu tutje shton se vendim është marrë me qëllim të përndjekjes së Kodrës pasi, sipas tij, ky i fundit nuk i është nënshtruar vullnetit politik të ministrit Xhelal Sveçla dhe kryeministrit Albin Kurti.

Tutje avokati tha se këta të fundit tentuan ta vënë këtë Agjenci në funksion të agjendës partiake për të bërë punësime dhe shkarkime arbitrare dhe për të ushtruar kontroll politik mbi këtë institucion të sigurisë.

“Sigurisht se me autorizim të z. Kodra, do të vazhdoj ndërmarrjen e veprimeve juridike, fillimisht për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit për shkarkim, pastaj edhe për të nisur procedurat penale dhe civile kundër autorëve të lartcekur të shkeljeve ligjore” – tha avokati Fetahu.

Në vendimin e shkarkimit të Kodrës thuhet se vendimi i ministrit është i bazuar në raportet e brendshme dhe të jashtme të auditimit, përfshirë këtu edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Në vendim u tregua se gjetjet dëshmojnë keqmenaxhimin, e me këtë edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Kujtojmë se Kodra ishte shkarkuar edhe një herë nga ministri Sveçla më 15 korrik 2022.

Mirëpo, pas afro dy muajve, më 7 shtator 2022, vendimi i të parit të MPB-së ishte anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Këshilli kishte obliguar Sveçlën që brenda 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë.

“Obligohet Ministri i MPB-së, që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthej ankuesin Fadil Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës” – ishte thënë në vendimin e KPMSHCK-së.

13 ditë pas vendimit të KMSHCK-së, më 20 shtator 2022, Sveçla kishte kthyer në punë Kodrën, për të marrë vendimin për largimin e tij pas vetëm një muaji.

Asokohe, në vendimin e publikuar nga avokati i Kodrës, Faton Fetahu, MPB obligohej që Kodrës t’i kompensohej paga nga data 14 korrik 2022 deri në zbatimin e vendimit.

E gjithë kjo kishte ndodhur pas ankesës që Kodra kishte bërë më 22 korrik 2022, ankesë kjo që më pas u aprovua si e bazuar.

Në pjesën tjetër të vendimit të KPMSHCK-së, të siguruar nga KALLXO.com, ishte thënë se Fadil Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se Sveçla ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe të kundërligjshme në rastin e tij.

Sipas këtij vendimi, Sveçla për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së Kodrës e ka përdorur një vendim, i cili, sipas ankuesit, prej 7 vitesh nuk është në fuqi.

Madje, Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se edhe vendimi tjetër i marrë nga MPB për caktimin e zëvendësuesit të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, është nxjerrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

5 ditë pas dorëzimit të ankesës, më 27 korrik 2022, KPMSHCK ka proceduar kërkesë në MPB, me qëllim që të marrë përgjigje për ankesën e Kodrës.

Këto përgjigje janë dorëzuar nga ana e Ministrisë më 5 gusht 2022.

Në këto përgjigje, sipas vendimit që ka siguruar KALLXO.com, është thënë se pretendimet e ankuesit, respektivisht të Fadil Kodrës, nuk qëndrojnë.

“Sipas organit të punësimit, gjegjësisht Ministria e Punëve të Brendshme, ankuesit nuk i është cenuar ndonjë e drejtë nga marrëdhënia e punës me vendimet e konstatuar si në ankesë” – është thënë në vendim.

Pas përgjigjeve që KPMSHCK-ja mori nga ana e MPB-së, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave, për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike si dhe vendosjes në mënyrë meritore ka administruar një mori provash.

Nga analizimi i këtyre provave, ky Kolegj ankesën e Fadil Kodrës e ka cilësuar si të bazuar.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur e cila pretendon se vendimi i Këshillit nuk është i ligjshëm, mund të inicionte konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë brenda një afati prej 30 ditësh.

Xhelal Sveçla shkarkon për herë të dytë Fadil Kodrën (Dokument)