Avokati i Dejan Pantiq: Klienti im ende nuk është intervistuar nga Prokuroria

Ish-zyrtari policor, Dejan Pantiq, i cili gjendet në masën e arrestit shtëpiak nën dyshimin e kryerjes të veprave penale terroriste, sipas avokatit të tij, ende nuk është intervistuar nga ana e prokurorisë.

Avokati Lujbomir Pantoviq ka pretenduar se deri më sot nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për intervistimin e tij.

“Nëse pyetni se a është intervistuar tek prokurori, Pantiq, përgjigja është jo. Tani për tani jo kurrgjë, deri më sot jo” – tha avokati Pantoviq.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorin e këtij rasti, Afrim Shefkiu, i cili ka thënë se do të bëjnë kërkesë prapë që të intervistojnë personin e dyshuar.

“E ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje, na e provojmë prapë me intervistu në prezencë të avokatit, por në herën e parë është mbrojtur në heshtje” – tha prokurori Shefkiu për KALLXO.com.

Kujtojmë që Pantiq fillimisht ishte mbrojtur nga një avokat tjetër.

Në anën tjetër, avokati aktual Pantoviq ka folur edhe për gjendjen shëndetësore të Dejan Pantiq duke thënë se është mesatare.

“Gjendja shëndetësorë se di çka me fol, e mesme” – ka thënë avokati për klientin e tij duke shtuar se gjendja psiqike e Pantiq nuk është e mirë.

“Gjendja psiqike nuk është mirë, është nervoz, është i shqetësuar” – tha tutje avokati Pantoviq.

Ai ka treguar se gjatë javës së ardhshme do e bëjnë një kërkesë në gjykatën kompetente për t’ia lejuar Pantiqit që të kryej një vizitë mjekësore.

“Ky është i sëmurë edhe prej zemrës, në gusht të vitit të kaluar ka pasur intervenim në zemër, ka vendosur stenda, edhe tensioni i lartë i gjakut, nuk është bash mirë. Në javën e ardhshme do ia parashtroj një kërkesë gjyqtarit paraprak për një vizitë mjekësore në Mitrovicë” – ka thënë ai.

Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 10 dhjetor 2022.

Ai më pas ishte liruar nga paraburgimi për tu dërguar në arrest shtëpiak më 28 dhjetor 2022, përderisa kjo masë ndaj tij, është vazhduar të entjen edhe për dy muaj të tjerë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Dejan Pantiqit i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për 2 muaj