(Arkiv) Martin Berishaj - Foto: Kallxo.com

Avokati i ambasadorit Martin Berishaj, Tomë Gashi, komenton deklaratën e presidentes Vjosa Osmani

Tomë Gashi, avokati i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, e ka komentuar për KALLXO.com deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, e cila ka thënë se do ishte mirë që derisa të kryheshin procedurat hetimore, ambasadori të largohej nga pozita.

Gashi ka thënë se Prokuroria mund të hapë hetim për secilin, por kjo nuk do të thotë se e ka shkelur ligjin.

“Presidentja është juriste dhe e di mirë prezuminin e pafajësisë”- tha Gashi.

Ai tutje ka shtuar se Berishaj e ka dokumentuar me prova se nuk e ka shkelur ligjin.

“Presidentja është superjuriste dhe e di supermirë prezumimin e pafajësisë. Përndryshe, Prokuroria mund të hapë hetim për secilin duke përfshirë edhe presidenten por kjo nuk do të thotë se ajo është fajtore dhe se e ka shkelur ligjin për ndonjë gjë. E njëjta vlen për Martinin, ai e ka dokumentuar me prova se nuk e ka shkelur ligjin e Prokuroria besoj që i ka analizuar mirë dokumentet që Martini i ka dorëzuar me rastin e marrjes në pyetje me iniciativën e tij”- ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Presidentja Vjosa Osmani në emisionin “Kallxo Përnime”, më 08.09.2024, deklaroi se nuk e ka ftuar ambasadorin Berishaj gjatë vizitës së fundit që ka zhvilluar në Kroaci.

Ajo tha se në raste të tilla, sipas saj, më e mira është që ai të largohej vetë nga pozita.

Madje Osmani tha se këtë gjë e ka kërkuar edhe në takimet e përbashkëta me Ministrinë e Punë të Jashtme.

“Unë dëshiroj që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet dhe më e mira në raste të tilla dhe më e mira do ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë krye më vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheqë vetë”- u shpreh ajo.

Lidhur me ketë çështje, KALLXO.com më 10.09.2024, fillimisht ka provuar të marrë përgjigje nga vetë ambasadori Berishaj, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.

Po ashtu, KALLXO.com për deklaratat e presidentes Osmani ka kërkuar informacione edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, dhe është në pritje të përgjigjes.

Më 29.03.2024, ambasadori Martin Berishaj ka përfunduar intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale pas disa orë qëndrim brenda.

Berishaj po dyshohet për 3 vepra të ndryshme penale.

Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.

Sipas mediumit slloven “Planet TV”, kompania private është në pronësi të tij. Pavarësisht thirrjeve për shkarkim të tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vetë Berishaj ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar.