Arkiv - Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Avokati Besnik Berisha për tërheqjen e letër-rreshtimit për Radoiçiqin: A thua kush e ka negociuar?

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë që të tërheqet letër- rreshtimi ndaj njërit nga të akuzuarit për vrasjen e ish- politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, Milan Radoiçiq. Dhe, Gjykata e Prishtinës e ka aprovuar këtë kërkesë.

Në lidhje me këtë ka reaguar avokati Besnik Berisha, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka shkruar duke pyetur se a thua si dhe kush e ka negociuar revokimin e urdhërarrestit për Radoiçiqin.

“Urdhërarresti pa shkak ligjor, apo revokimi i tij Pazar ditor, mbetet të mësohet në ditët në vijim. Ajo çfarë dihet deri më tani është se një praktikë e tillë, për dyshimin siç rendonte mbi Radoiçiqin nuk është aplikuar asnjëherë për asnjë të dyshuar shqiptar”, ka shkruar Berisha.

Në gusht të vitit 2019 Ministria e Drejtësisë kishte lëshuar letër- rreshtim ndaj Milan Radoiçiqit.

Konfirmimin për letër- rreshtimin në vitin 2019 e kishte dhënë edhe ish- ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Milan Radoiçiq ka qenë në kërkim me anë të një letër- rreshtimi në lidhje me vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Radoiçiq po dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas një aktakuze të ngritur  nga Prokuroria Speciale në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe një serb tjetër i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ishin udhëheqësit e një grupi të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Oliver Ivanoviqit.

Në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e letër-rreshtimit, Gjykata e ka aprovuar këtë kërkesë.

Kështu ka bërë të ditur gjykatësi Valon Kurtaj.