
Avokati Besnik Berisha paraqitet në sallë me rastin e shpalljes së vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt
Ish-mbrojtësi i të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetaj, Besnik Berisha është paraqitur në sallën e Gjykatës me rastin e shpalljes së verdiktit të Gjykatës.
Në qershor të vitit 2021, Gjykata e Pejës përmes një vendimi e kishte përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.
Paraprakisht avokati Berisha ishte dënuar me gjobë 500 euro sepse sipas gjykatës i njëjti i kishte përsëritur pyetjet e njëjta përkundër që i është tërhequr vërejtja, e po ashtu faktin se vazhdimisht ka deklaruar se gjykata e ka paragjykuar këtë çështje.
Bllokimi i këtij procesi ka ndodhur pas përjashtimit dhe dënimit më gjobë të avokatit Besnik Berisha.
Prej momentit kur Berisha u përjashtua nga e drejta e mbrojtjes, gjykimi ishte përshkruar me zvarritje të shumta.
Pas më shumë se 4 vitesh nga vrasja e Agonis Tetajt, këtij procesi gjyqësor i erdhi fundi.
Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor.
Për vrasjen e tij po ngarkohet djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.
Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.
Aktakuza që e ngarkon Shaban Gogajn
Sipas aktakuzës se prokurorisë, në vitin 2019, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxorri revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.
Gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt drejt fundit