Besnik berisha, avokat. Foto: Kallxo.com

Avokati Berisha: Prokuroria nuk ka asnjë provë të vetme që vërteton se të pandehurit kanë lidhje me 400 kg kokainë

Avokati Besnik Berisha, i cili është mbrojtës i njërit nga të dyshuarit për rastin e kokainës së konfiskuar në Lipjan, ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë duke thënë se ajo nuk ka asnjë provë të vetme që e vërteton se të pandehurit kanë lidhje me ato 400 kg kokainë.

Në një konferencë për media, avokati Berisha gjatë tërë kohës mohoi se ndonjëri nga të arrestuarit të ketë pasur njohuri për kokainën e gjetur, duke i quajtur të pandehurit fatkeqinj.

“Me përgjegjësinë më të madhe profesionale po e them që asnjë nga të pandehurit nuk kanë qenë në njohuri, qoftë edhe një shkronjë e vetme të gjendet se këta kanë qenë në njohuri se aty ka pasur kokainë, këta janë gati të hynë 50 vjet në burg”, tha Berisha.

Dy ditë më parë, në Lipjan janë konfiskuar nga Policia 400 kg kokainë, e cila është gjetur në një kamion që transportonte lloje të ndryshme të mishit të pulës.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e paraburgimit për shtatë të dyshuarit lidhur me 400 kilogramët e drogës të llojit kokainë e kapur ditë më parë në Lipjan.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet në detaje pretendimi për rolin e secilit nga të dyshuarit dhe po ashtu përshkruhet rruga e ngarkesës së kokainës dhe destinacioni final i ngarkesës.

Prokuroria pretendon se shtatë të dyshuarit kanë vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe si bashkim i strukturuar kriminal, duke kryer veprime me qëllim të importimit në Kosovë të sasisë prej 400 kilogramëve të drogës së llojit kokainë.