Avokati Berisha flet sërish për foton në të cilën shihet bashkë me prokurorin Agron Uka

Avokati Besnik Berisha në emisionin ‘Frontal’ të T7 ka folur në lidhje me fotografinë e publikuar nga KALLXO.com, në të cilën shihet bashkë me prokurorin Agron Uka.

Ky i fundit ishte prokuror në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, ndërsa Berisha është avokat i të akuzuarit Shaban Gogaj.

Prokurori Uka në seancën e fundit e ka ndërruar kualifikimin e veprës penale që i vihej në barrë klientit të avokatit Berisha nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”

Pas publikimit nga KALLXO.com të fotos së një takimi mes prokurorit Agron Uka dhe avokatit Besnik Berisha, sot ka reaguar Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili e ka përjashtuar prokurorin Uka nga rasti i vrasjes së Agonis Tetajt.

Ndërsa avokati Berisha në T7  ka thënë se lidhja e tij me prokurorin e rastit është e njëjta si me të gjithë prokurorët e prokurorive.

Ai ka deklaruar se ‘sektori i drejtësisë e di Besnikun se çka bon në gjykatë, e kur dalim jashtë gjykatës unë harroj se çka kemi bo aty’.

“Kam kërku prej gazetares, sepse dje kur më ka ftu, edhe sot i kam kërku incizimin, sepse e ka shkurtu dhe nuk e ka citu drejt.  Unë e kam thënë dhe po e përsëris, për këtë rast kurrë në jetën time me asnjë prokuror, me asnjë gjyqtar, nuk kam pi kafe as në këtë vend, e as vjet, siç sot po e thojnë qe paska ndodhë vjet. Pra, unë sipas kësaj logjike, do të duhej të izolohesha të mos përshëndes njeri kurdo që shoh, e as gjyqtarin”, ka thënë Berisha.

Tutje, Berisha duke folur në lidhje me fotografinë, ka thënë se ka qenë në gjykim në Gjilan dhe ka shkuar në kafiterinë ku shihet foto dhe sipas tij, ka rastësis në prokurorin dhe e ka përshëndetur.

“…Edhe sot me e pa, jo vetëm këta, po këdo prej prokurorëve e bëj të njëjtin send, sepse unë nuk kam nejt vetëm me këtë, kam nejt me përfaqësuesin e palës së dëmtuar, me palën e dëmtuar, me familjarë të palës së dëmtuar”, ka thënë Berisha.

“E mohoj për krejt jetën, për këtë rast, 1 mijë  herë e 1 milion herë. Nuk kam arsye me i thanë dikuj që nuk rri”, shtoi ai.

KALLXO.com ka arritur që të zbulojë kohën dhe vendin ku është realizuar fotografia ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.

Siç mëson KALLXO.com, fotografia është bërë në “Resortin Planet” në periferi të Gjilanit ndërsa fotografia mendohet se është shkrepur verën e vitit të kaluar, pra në vitin 2020.

Dje, në një prononcim për KALLXO.com, Besnik Berisha ka mohuar kategorikisht të jetë takuar ndonjëherë me prokurorin Agron Uka.