Avokatët mbrojtës kërkojnë hedhjen e aktakuzës ndaj dy zyrtarëve të ASHNA-s

Në Gjykatën e Prishtinës dje është mbajtur shqyrtimi i dytë ndaj ish-drejtorit të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini dhe Driton Mehajt, për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë seancë është diskutuar rreth kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të prokurorisë nga dy avokatët e të akuzuarve.

Mbrojtësi i Nuredinit, avokati Agron Selimaj, deklaroi se qëndron pranë kërkesës për hedhje të aktakuzës ndërsa për përgjigjen e prokurorit tha se ai nuk ka adresuar kundërshtimet në kërkesë.

Tutje ai tha se prokuroria nuk ka disponuar me provat shfajësuese të paraqitura në atë kohë nga Nuredini, të cilat po të ishin përfshirë në aktakuzë do të sillnin një gjendje tjetër faktike.

Avokati i të akuzuarit Mehaj, Ilir Rashiti, në këtë seancë po ashtu qëndroi pranë kërkesës së tij për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas avokatit Rashiti, prokuroria nuk ka kuptuar pretendimet të cilat bazohen në saktësinë e tyre me ato prova që janë të bashkangjitura në shkresat e lëndës.

Prokurori i rastit, Milot Krasniqi, lidhur me të gjitha pretendimet e avokatëve deklaroi se mbetet pranë përgjigjes së dorëzuar.

Krasniqi tha se aktakuza mbështetet në prova të marra në mënyrë të ligjshme  dhe i propozoi gjykatës që kërkesën e avokatëve për hedhje të akuzës ta refuzojë.

Për këtë gjyqtari i rastit, Kujtim Krasniqi, i njoftoj palët se do të vendosë jashtë seancës.

Në muajin maj të këtij viti, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Bahri Nuredinit në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Driton Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA.

Nuredini dhe Mehaj akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik TCN International Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë tenderin e kontratës së lartcekur në mënyrë të kundërligjshme.

Me këtë sipas Prokurorisë Speciale, Nuredini dhe Mehaj i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA-s dhe buxhetit publik në vlerë prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Nuredinit mandati si drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror i ka përfunduar në qershor të vitit të kaluar.

Në vitin 2018, “Jeta në Kosovë” ka publikuar një seri të emisioneve hulumtuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me titullin “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar” në lidhje me keqpërdorimet . Emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e aeroportit nga kompania Limak, i dyti për sigurinë e këtij aeroporti, ndërsa në emisionin e tretë ka qenë prezent vetë Bahri Nuredini, i cili u përgjigj për të gjitha raportimet dhe gjetjet e dy emisioneve paraprake  të fokusuara në Aeroportin e Prishtinës dhe ASHNA dhe punësimet aty. Ndërsa në emisionin e katërt ishte i pranishëm drejtori i Limakut për t’u përgjigjur akuzave.