Avokatët kërkojnë ndryshimin e aktakuzës në rastin e vrasjes së rëndë, prokuroria e kundërshton

Në gjykimin ndaj Albert Ademaj dhe Orhan Ademaj, të cilët po akuzohen nga Prokuroria se me dashje dhe të shtyrë nga motivi i hakmarrjes, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Mendim Kurtishaj, avokatët e të akuzuarve në seancën e sotme, kërkuan ndryshimin e aktakuzës dhe ndryshimin e masës së paraburgimit.

Ky propozim i ndryshimit të aktakuzës, rrodhi me arsyetimin e mbrojtës së të pandehurve për shkak të një raporti mjekësor lidhur me gjendjen shëndetësore të dëshmitarit.

“Ne ia dorëzojmë raportin gjykatës që vërteton shëndetin e dëshmitarit, andaj kërkoj që Albert Ademajt t’i ndryshohet masa e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak”, deklaroi avokat Hajrip Krasniqi.

Mendim të njëjtë pati edhe avokati i të akuzuarit Orhan Ademaj, Blerim Mazreku i cili theksoi se ndryshimi i aktakuzës do të ndihmonte që gjykimi të zhvillohej pa ndonjë pengesë.

“Meqenëse problemet e shëndetit të dëshmitarit tani u dokumentuan edhe me prova, lusim prokurorinë që të shqyrtojë mundësinë që të bëjë ndryshimet e nevojshme të aktakuzës, andaj edhe lus gjykatën që masën e paraburgimit ndaj dy vëllezërve, ta ndryshoj me masën e arrestit shtëpiak”, tha avokati Mazreku.

Mirëpo, ky ndryshim i aktakuzës nuk u përkrah nga përfaqësuesi i prokurorisë, Genc Nixha i cili tha se dëshmitari ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore kur ishte marrë në pyetje menjëherë pas rastit.

“Prokuroria nuk ka dëshirë e as disponim që të ndërrojë asnjë presje nga dispozitivi i aktakuzës, ngase në hetimet e kryera në prokurori dhe në deklaratën e dhënë në polici nga ana e dëshmitarit, nuk ka asnjë ndryshim, janë identike me përshkrimin e vendit të ngjarjes dhe foto-dokumentacion”, deklaroi prokurori Nixha.

Lidhur me këtë çështje, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi mori vendim që të refuzohet propozimi i mbrojtësve të të akuzuarve në lidhje me masën e paraburgimit.

Meqenëse në seancën e stome nuk prezantuan të dëmtuarit dhe përfaqësuesit e të ndjerit, Mendim Kurtishaj, nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve dhe nga ana e prokurorisë u kërkua që gjykimi i sotëm të mos mbahet dhe të caktohet për një datë tjetër.

Duke i marrë parasysh këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, mori vendim për shtyrjen e seancës për datë 8  tetor 2021.

Sipas aktakuzës të datës 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se me 1 maj 2020, në Prizren, në bashkëkryerje, me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin Mendim Kurtishaj.

Tutje sipas aktakuzës thuhet se pas një mosmarrëveshje të mëhershme, ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj, në momentin që e vërejnë të ndjerin Mendim Kurtishaj, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit tashmë në Gjykatë, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe i afrohen motoçikletës, ku vetë dëshmitari deklaron se i ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan Ademaj dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual, i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëviz në drejtim të lagjes “Arbanë” gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit të cilët kanë qenë në veturën e tyre dhe kur arrijnë tek “Tranziti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë përreth, ku edhe është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre u janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën pas së cilës i pandehuri Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet të ndjerit Mendim Kurtishaj dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vie auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.