Avokatët e Veselit në Speciale paraqesin prova mbrojtëse

Ka përfunduar seanca e sotme e gjykimit, sërish e mbyllur për publikun, kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë ku për të tretën ditë me radhë dëshmitari i dytë është marrë në pyetje kësaj radhe nga mbrojta e Thaçit dhe Veselit, me ç’rast mbrojtja e këtij të fundit paraqiti dy prova.

Benedict Emmerson Kc, pjesë e mbrojtjes së Veselit, i cili sipas përshkrimit zyrtar të Speciales paraqitet si ish-anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe shef i shërbimeve inteligjente të kësaj organizate, prezantoi një video të cilën propozoi t’i paraqitet dëshmitarit dhe po ashtu dhe dy paragrafë nga letra e komandantit Crossland të dyja këto që kishin ndërlidhje me ngjarje në Rahovec.

Meqenëse seanca me përjashtim të hapësirave tejet të shkurta kryesisht të natyrës procedurale ishte si rëndom e mbyllur nuk pati mundësi të kuptohet për përmbajtjen e këtyre dy provave më tutje.

Para Emmerson të drejtën e marrjes në pyetje e shfrytëzoi mbrojtësi i Hashim Thaçit Peter McCloskey.

Seanca e radhës e Speciales është nesër me datë 20 Prill 2023 e cila pritet të fillojë në orën 9 në mëngjes.

Gjykata ka bërë të ditur se nesër do të zhvillohet konferenca e përjavshme për medie.

Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me pretendimet e prokurorisë së Speciales.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor në Hagë mund t`i lexoni duke klikuar në LINK