Avokatët e Prishtinës: Veprimi i Tomë Gashit i papranueshëm

Një video e publikuar në media ku shihet avokati Tomë Gashi deri sa shqelmon paratë e një personi i cili kërkon lëmoshë në sheshin e Prishtinës ka bërë që të reagojnë edhe avokatët e Degës së Prishtinës.

Kryetari i Avokatëve të Degës së Prishtinës ka thënë se sjelljet e Gashit janë të papranueshme dhe jo- humane.

“Kërkimi i lëmoshës nuk është i ndaluar me ligj. Organet kompetente shtetërore janë ato që merren me lypësit dhe me këdo tjetër që cenon rendin dhe qetësinë publike dhe askush s’ka të drejtë t’i poshtëroj ata duke i shqelmuar gjë sendet e tyre”, thuhet në reagimin e Kryetarit Nasuf Hasani.

Tutje ai ka thënë se sjelljet e tilla dëmtojnë imazhin e avokatisë.

“Sjellje të tilla nga avokatët dëmtojnë nderin dhe imazhin e avokatisë dhe janë qartësisht në kundërshtim me Kodin e Etikës të Avokatëve. Pa dashur të paragjykoj, Organet e OAKsë lidhur me këtë rast, duhet të zhvillojnë hetime përkatëse dhe nëse ka arsye të bazuar, të filloj procedurën disiplinore ndaj avokatit në fjalë”, ka shkruar tutje Hasani.

Avokati Tomë Gashi është parë në një video të publikuar nga disa portale kosovare duke ia shqelmuar mbajtësen e parave një lypsari në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Për këtë, ai ka shkruar në Facebook se ishte “duke e kryer punën e inspektorëve”.

“Tu e kry punën e inspekcionit mas dy vjet britmash të çmendura ditë e natë në sheshin Nënë Tereza”, ka shkruar ai në Facebook.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kërkuar edhe nga ana e Policisë së Kosovës të dijë nëse janë marrë veprime në lidhje me veprimet e avokatit Gashi.

“Për rastin për të cilin interesoheni, u njoftoj se policia nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga ndonjë qytetar për rastin.  Policia e ka analizuar videon, ka kontaktuar me prokurorin kompetent dhe i njëjti ka deklaruar se nuk ka elemente të veprës penale”, ka thënë për KALLXO.com, Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.