Agjencia Kosovare e Privatizimit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avni Jashari emërohet zëvendësues i drejtorit menaxhues të AKP-së

Avni Jashari është emëruar njëzëri zëvendësues i drejtorit menaxhues të Agjenconit Kosovar të Privatizimit (AKP).

Emërimi i Jasharit nga bordi i drejtorëve, u bë pasi ditë më parë ish drejtori menaxhues Valon Tolaj, dha dorëheqje nga pozita që mbante.

“Gjatë kësaj mbledhje, zëvendës drejtori i AKP-së, Avni Jashari u emërua zëvendësues i drejtorit menaxhues të AKP-së. Ndërkaq bordi vendosi inicimin e procedurës së rekrutimit për pozitën e drejtorit menaxhues sipas Ligjit për Zyrtarët Publik”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Sipas njoftimit, bordi i drejtorëve të AKP-së ka miratuar buxhetin e Agjencisë për vitin e ardhshëm 2022, që sipas komunikatës, është me kursime në paga dhe mëditje.

Gjithashtu, bordi i AKP-së miratoi shpërndarjen e fondeve për punëtorët dhe kreditorët e 14 ndërmarrjeve shoqërore.

“Shuma totale e fondeve për shpërndarje është 1 milion e 168 mijë euro. Ndërkaq miratoi listat përfundimtare të punëtorëve që i plotësojnë kushtet ligjore për të përfituar nga pjesa 20 % e të ardhurave nga shitja, transferimi ose likuidimi për ndërmarrjet shoqërore: Radio Televizioni Prishtina – Prishtinë, Banka e Lubjanës – Prishtinë, Lidhja e vozitësve – Prizren, për KB Bistrica – Drenoc-Pejë, pastaj për NSH Kabllar NJP – Prishtinë dhe për NSH Teuta Bare – Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

“Bordi shqyrtoi dhe miratoi shpërndarje të pjesshme të fondeve për kreditorët e nëntë ndërmarrjeve shoqërore në vijim: Përparimi – Mitrovicë, KBI Agrokultura – Gjilan, pastaj për NSH Eximkos – Prishtinë, NSH Tregu – Prishtinë, NSH Ringov- Pejë, NSH Dardania – Prizren, NSH Talinovci – Ferizaj, NSH 9 Nëntori – Pejë dhe NSH Prizren Trans – Prizren”.

Valon Tolaj jep dorëheqje nga AKP