Avni Dehari: Zyrtarët erdhën në shtëpi, tentuan të na bindin se Astriti ka bërë vetëvrasje

Zyrtarë nga policia dhe organeve të tjera të rendit, sipas familjes Dehari, kishin shkuar në shtëpinë e Astrit Deharit, për të bindur prindërit se djali i tyre kishte bërë vetëvrasje.

Avni Dehari, babai i Astritit rrëfeu për emisionin “Jeta në Kosovë” presionin që thotë se e përjetuan gjatë kohës sa kërkuan zbardhjen e rastit të Astritit.

“Ne kemi një përvojë shumë të hidhur, derisa ka ardhë raporti nga Zvicra, vazhdimisht ata kanë bërë presion mbi ne që të pranojmë qëndrimin e tyre që Astriti ka bërë vetëvrasje. Kanë ardhë në shtëpi, prej Prizrenit e Prishtinës, hetues e prej policisë “Ne ua shnoshim zemrën, na besoni neve”, tha ai.

Sipas Deharit, zyrtarë që thotë se nuk ia di emrin, kishin tentuar t’i shtynin të nënshkruanin deklaratë që pranon skenarin e vetëvrasjes së Deharit.

“Na janë prezantu, kanë thanë na besoni se Astriti ka bërë vetëvrasje dhe janë munduar të na shtyjnë me dhanë deklaratë dhe të pranojmë që Astriti ka bërë vetëvrasje”, rrëfen ai.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në vitin 2016.

Tri vite pas vdekjes së Astrit Deharit  në Qendrën e Paraburgimit të në Prizren, Prokuroria Speciale hapi hetime të reja.

Rasti Dehari u rihap përsëri pas arritjes së raportit nga Zvicra i cili nuk përjashtoi mundësinë e vrasjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari.

Pas pranimit të këtij raporti Prokuroria e Prizrenit kishte deklaruar se nevojitet një hetim i ri për të qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Intervistën e plotë me prindërit e Astrit Deharit mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm