Ramush Haradinaj e Avni Arifi. Foto: Facebook

Avni Arifi Zëvendëson Edita Tahirin në Dialog me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka emëruar shefin e stafit të tij, Avni Arifin, në pozitën e shefit të delegacionit të Kosovës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Miratimi i këtij vendimi u bë sot në mbledhjen e qeverisë.

Haradinaj tha se ky emërim është bërë pas kërkesave nga Bashkimi Europian që Kosova ta ketë një koordinator, meqë pozita ka mbetur e zbrazët që pas largimit të Edita Tahirit, si ish- ministre për Dialog.

“Dialogu politik përfaqësohet nga Presidenti i Republikës por njëkohësisht ekziston një nivel negocimi që e ka drejtuar zonja Edita Tahiri. Nga institucionet e BE-së është kërkuar që Qeveria e Kosovës ta emërojë një shef të negociatave i cili do të ishte në gjendje ta përcjellë materien. Pas konsultave që kam bërë me kolegët, kam vendosur që qeveria e Kosovës ta emërojë Avni Arifin shef të negociatave”, tha Haradinaj në mbledhjen e sotme të Qeverisë.