Aviacioni Civil thotë se vizita e Abrashit në Aeroport ndodhi më 5 nëntor, jo më 10 siç e kishin njoftuar vetë

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka reaguar pas raportimeve se më 10 nëntor drejtori i këtij institucioni së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, vizituan Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Për këtë vizitë kishte njoftuar Ministria e Infrastrukturës në ueb faqe por edhe në rrjete sociale. Njëjtë, bëri edhe Aviacioni Civil i Kosovës. Madje, në njoftimin e këtij institucioni specifikohej, që ngjarja kishte ndodhur sot, pra më datën 10 nëntor, kur edhe u publikua njoftimi.

Dje Abrashi nxori disa fotografi në terren , vetëm dhjetë ditë pasi njoftoi se është pozitiv me COVID-19 që çoi në konkludimin se Ministri ka thyer masën e vetizolimit për dy javë.

Më pas,  në përpjekje për të mohuar se ka thyer masën e izolimit, ai tha se në izolim ka qenë që nga data 9 nëntor por statusin për infektim e kishte shkruar më 18 nëntor.

“Më 18 e kam shkruar statusin. A në izolim kam qenë nga mbrëmja e 9 nëntorit. Sot kam dal në punë, pas 17 ditësh”, u përgjigje Abrashi në komentet që kritikonin daljen e tij në terren ditën e sotme.Në anën tjetër, postimi i Aviacionit Civil dhe Ministrisë së Infrastrukturës e vendosin atë në një vizitë tjetër në terren, më 10 nëntor, pra një ditë pasi Ministri po pretendon se ka filluar izolimin.

Pas kësaj, Autoriteti ka reguar duke thënë se në fakt, vizita në Aeroport ka ndodh më 5 nëntor, jo siç kanë njoftuar vetë ata dhe ministria, më 10 nëntor.

“Vizita ishte planifikuar shumë më herët dhe është realizuar më datën 5 nëntor 2020. Sidoqoftë, në bashkëpunim më Zyrën për Informim të Ministrisë se Infrastrukturës lajmi për vizitën nuk është publikuar atë ditë duke pas parasysh ngjarjet që ndodhën po atë ditë lidhur me gjykatën speciale dhe pritjen e fluturimeve speciale”, thuhet në reagim.

Ky është postimi i potë i AACK-së:

Sqarim nga AACK në lidhje me raportimin e Kallxo.com

Autoriteti i Aviacionit Civil ka zhvilluar një inspektim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për mbikëqyrjen e masave të ndërmarra nga operatori për frenimin e përhapjes së COVID-19. Vizita është bërë së bashku me Ministrin e Infrastrukturës z. Arban Abrashi.

Vizita ishte planifikuar shumë më herët dhe është realizuar më datën 5 nëntor 2020. Sidoqoftë, në bashkëpunim më Zyrën për Informim të Ministrisë se Infrastrukturës lajmi për vizitën nuk është publikuar atë ditë duke pas parasysh ngjarjet që ndodhën po atë ditë lidhur me gjykatën speciale dhe pritjen e fluturimeve speciale.

Lajmi për vizitën ishte publikuar më datën 10 nëntor duke pas për qëllim informimin e publikut se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është duke i zbatuar masat mbrojtëse për përhapjen e COVID-19 dhe se Autoriteti i Aviacionit Civil është duke monitoruar zbatimin e këtyre masave.

Dëshirojmë të sqarojmë opinionin për datën e saktë të realizimit të vizitës e cila nuk është e njëjta me datën e postimit të lajmit në mediat sociale.

Publikimet tona janë të menduara për informimin e publikut me interes në aviacion. Lusim mediat për konfirmim para publikimit.