Haxhi Avdyli: Mustafa, Veliu dhe Hoti s'kanë guxim të kandidojnë për kryeministër

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, përmes një shkrimi në Facebook e ka pyetur liderin e LDK-së, Isa Mustafa se pse ende nuk kanë vendosur për kandidatin për kryeministër.

Ai thotë se Isa Mustafa, nënkryetarët Agim Veliu dhe Avdullah Hoti nuk po kanë guxim që të bëhen kandidatë për kryeministër.

“Rrjedha logjike duhej njëri nga ta merrte guximin ti printe listës siç i prinin rrëzimeve të qeverive, ngarkimeve ,e dhurime postesh deri te posti i  Presidentit. Isa Mustafa , ka shëndet ta udhëheq LDK-në, ti udhëheq negociatat para kamerave e prapa perdeve për koalicione, emërime e shkarkime, por s’ka shëndet me dalë në zgjedhje. OK?”, ka shkruar ai.

“Po Agim Veliu që dërgoi Podujevën në zgjedhje, e rrotulloi dyert e zyrave të LDK-së veç për t’u bërë Ministër i Brendshëm i Qeverisë Kurti. O bëhej ai ministër, o s’bëhej Qeveria VV-LDK. Ku është strukur, prapa kujt po donë të fshihet?”, ka shtuar Avdyli, deputet i cili vazhdimisht ka qenë mbështetës i Vjosa Osmanit në LDK.

Avdyli tutje tha se kjo parti po ‘pret ndonjë viktimë të radhës për t’i mbledhur votat’.

“Pse tash nuk del e thotë o bëhem unë kandidat për KM o askush. Apo ndoshta po pret ndonjë viktimë të radhës me ia mbledh votat , e më pastaj për tu bërë ai kryesori bashkë me Isa Mustafën, e me marrë e ndarë poste sipas qejfeve të tyre”, ka thënë deputeti.

Ai tutje tha se nuk ka fitore në tavolina, por ato fitohen në fushë.

“Dilni para popullit e mos u fshehni. Po Dulla jonë ku është?  Edhe pse askush nuk e pyet në LDK, si ia merrte mendja të merrte postin e KM pa ia dhënë qytetari, e sot s’ka guxim që “mirëqeverisjen” e tij tua prezantoj qytetarëve”, tha Avdyli.

“Ish kolegë e mi partiak ,nuk ka fitore, në tavolina e prapa perdeve, por ato fitohen në fushë. Ju vendosnit për gjithçka e për çdokënd në këtë vend, dilni tani para sovranit. Koha nuk është për të fshehur se s’po ju shitet më kjo lojë. Jeni zbuluar”, ka thënë në fund ai.

U.D presidentja e Kosovës e cila është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të re, kjo pasi LDK-ja, në muajin qershor, e shkarkoi atë nga posti i nënkryetares së partisë dhe nga funksionet e tjera partiake, duke argumentuar se Osmani ka shkelur statusin e partisë kur është shprehur kundër Qeverisë Hoti.