Avdyli i LDK-së- Uran Ismailit: Kur të doni iu mbaj ligjërata për sisteme shëndetësore

Kandidati për deputet nga LDK, Haxhi Avdyli ka replikuar me ministrin në detyrë të Shëndetësisë nga PDK, Uran Ismaili rreth sistemit të shëndetësisë dhe gjendjes në këtë sektor.

Avyli, duke përmendur sistemet shëndetësore, i tha Ismailit se mund t’i mbaj ligjërata për këtë gjë.

“Ministri Uran Ismaili si jo profeiosnist e mendon se krejt sistemi shëndetësor është QKUK është kardiologji. Sistemi shëndetësor përbëhet nga tri sisteme, kur të doni ua mbaj një ligjëratë për këtë. Sistemi primar, sistemi sekondar dhe sistemi terciar. Ky nuk e ka haberin sesi është i organizuar dhe tërë kohën e ka kaluar në QKUK dhe  ka vepruar si një drejtor i QKUK-së dhe asgjë më shumë. Nuk është interesuar edhe për repartet tjera që kanë mungesa, spitalet rajonale kanë mungesa të tmerrshme”, deklaroi ai në #DebatPernime.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.