Avdullah Hotit nuk i intereson mënyra se si e mori votën e Haxhi Shalës

Kryeministri Avdullah Hoti nuk ka dashur të komentoj faktin se deputeti Haxhi Shala e ka votuar qeverinë e tij pas ndikimit direkt të presidentit Hashim Thaçi.

Tashmë është konfirmuar nga palët, Hashim Thaçi, Haxhi Shala e Ramush Haradinajt se pak orë para se të mbahej seanca për votimin e Qeverisë Hoti, në ora 1 të natës, Thaçi e Haradinaj i kishin shkuar në shtëpi Haxhi Shalës për të ia kërkuar votën.

Në konferencën e parë për media, Avdullah Hoti nuk ka dashur të komentoj mënyrën e si është zgjedhur kryeministër dhe ndikimin direkt të Thaçit në zgjedhjen e tij.

“Unë nuk kam asnjë koment për atë çështje. Unë jam zgjedhur me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe kam legjitimitet të plotë kushtetues për të udhëheq me Qeverinë”, tha Hoti në pyetjen e KALLXO.com.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u mor vendimi për heqjen e reciprocitetit me Serbinë, që u tha nga qeveria se është hap për fillimin e dialogut me Serbinë.

Qeveria e Kosovës pret që edhe Serbia të heq pengesat nga ana e saj.

Avdullah Hoti u zgjodh kryeministër më 3 qershor të këtij viti.