Avdullah Hoti, Foto - Avdullah Hoti, Facebook

Avdullah Hoti viziton Ukrainën në ditën e përkujtimit të Holokaustit

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka qëndruar në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Hoti ka njoftuar se ishte prezent në Kiev si i ftuar nderi i “European Jewish Association”, në përkujtim të viktimave të Holokaustit, në ngjarjen në Kiev të Ukrainës.

Sipas Hotit, kjo ditë shënohet në gjithë botën si Dita e Përkujtimit të Holokaustit.

“Në përkujtim të viktimave të Holokaustit, më 24 dhe 25 janar 2022 unë isha i ftuar nderi i ‘European Jewish Association’ në ngjarjen në Kiev të Ukrainës në përkujtim të masakrës së 33,771 hebrenjve, të ndodhur në vitin 1941”, ka shkruar Hoti.

Hoti shtoi se për dy ditë me radhë, me rreth 120 parlamentarë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe disa vendeve të Ballkanit, Kryetari i Kuvendit të Ukrainës, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Komisioneri për Zgjerim i Komisionit Evropian Oliver Varhelyi, si dhe zyrtarë të tjerë nga institucione dhe organizata ndërkombëtare, u diskutua për ndërtimin e shoqërive demokratike ku respektohet secili pavarësisht dallimeve.

“Populli shqiptar duhet të ndihet krenar me historinë e tij në mbështetje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Hoti.

Aktualisht Ukraina dhe Rusia janë në krizë.

Shtetet e Bashkuara kishin shprehur shqetësimin se Rusia mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë së shpejti në Ukrainë, duke fabrikuar një pretekst për luftë nëse diplomacia nuk arrin të përmbushë objektivat e saj, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Ndërkaq, negociatorët rusë dhe ukrainas janë dakorduar që një armëpushim i përhershëm në Ukrainën lindore duhet të respektohet “pa kushte” pas bisedimeve disa orëshe në Paris të mërkurën.

Ky njoftim erdhi pas një takimi në Pallatin Elysee të të ashtuquajturit Formati i Normandisë – një bisedë katërpalëshe midis përfaqësuesve nga Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca – që është përpjekur të ndërmjetësojë paqen në Ukrainën lindore që nga viti 2014.

Gjatë ditës së sotme edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për viktimat e kampit të Aushvicit në përvjetorin e kujtimit të Holokaustit.