Foto: Doruntinë Maloku/Facebook

Avdullah Hoti u takua me deputetët e LDK-së, Vjosa Osmani nuk mori pjesë

Nënkryetarja e LDK-së, njëherësh kryetare e Kuvendit Vjosa Osmani nuk ka marrë pjesë në takimin e sotëm të grupit parlamentar të LDK-së, me kandidatin për kryeministër të kësaj partie, Avdullah Hotin.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi pas takimit tha se e kanë ftuar edhe Osmanin, por se ajo nuk ka marrë pjesë në këtë takim.

“Patjetër se të gjithë deputetët, anëtarët e grupit parlamentar janë të ftuar dhe zonja Osmani gjithashtu. Jo nuk ka qenë, me siguri ka pasur agjendë tjetër”, tha ai.

Gashi shtoi se në këtë takim është diskutuar detajisht programi qeverisës dhe plani i punës së qeverisë.

“Pati diskutime, komente, të cilat u inkorporuan në program dhe besoj që ishte një punë shumë kualitative. Një krijim i një sinergjie mes grupit dhe qeverisë së ardhshme dhe një mundësi e sqarimeve mes deputetëve dhe qeverisë. Ishte një punë dhe mundësi shumë e mirë. Programi mund të shihet në momentin kur diskutohet dhe votohet qeveria”, theksoi Gashi.

Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar deri më 29 maj 2020, mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër nga ana e presidentit Hashim Thaçi.