Avdullah Hoti tregon pse u refuzua në qeveri nisma ligjore e Vjosa Osmanit

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se qeveria sot e ka shqyrtu ligjin për menaxhimin e pandemisë.

Hoti tha se vlerësimi i ekspertëve ligjorë të qeverisë është se ky ligj nuk e zgjedh problemin.

“Sepse nuk mundet me ligj të kufizohen të drejtat elementare siç ka ndodhë me vendime të qeverisë së kaluar të cilat u shpallën antikushtetuese. E vetmja zgjidhje nëse duhet të shkojmë në ekstreme të kufizimit të lëvizjes në nivel vendi, kjo punë nuk bëhet me ligje, duhet ta shpallim gjendjen e jashtëzakonshme”, tha Hoti.

Hoti tha se shëndeti i qytetarëve është prioriteti i qeverisë së tij.

“Unë jam në konsultim të ngushtë me Institutin e Shëndetit Publik edhe me komunitetin që e udheheq ministri edhe unë nuk do të hezitoj të vij për të kërku para juve shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nëse këtë e kërkojnë Ministria e Shëendetësisë dhe Instituti i Shëndetësisë. Nuk ka me pasë hezitim”, tha ai.

Hoti tha se janë duke e menaxhuar situatën dhe se trendi është në rritje siç është në regjion.

“Jemi në proces të riorganizmimit komplet të klinikave të shërbimit spitalor, për të kriju shtretër shtesë dhe janë kriju shtretër shtesë. E kemi autorizu MSH në përputhje me ligjin që të kërkojë edhe nga spitalet private të vëjnë në dispozicion shtretër nëse kjo është e nevojshme. Te resurset njerëzore në shëndetësi jemi duke e riorganizu komplet angazhimin e stafit në nivel vendi për t’i vënë në funksion e dispozicion personelin shëndetësor për rastet me COVID. E kemi autorizu MSH që të kërkojë angazhimin e krejt stafit në nivel vendi që nuk janë të angazhuar në sektorin publik ose privat me fokus të veçantë te shërbmet e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbime që janë të lidhura drejtpërdrejtë me menaxhimin e situatës covid”, tha Hoti.

Hoti tha se e kanë autiorizuar Ministrinë e Shëndetësisë që të licensojë institucione private për të kry testime për COVID në përputhje me procedurat e standardizuara.

“Kemi fillu procedurat prokuruese për të blerë deri 100 mijë teste virologjike, për të blerë deri në 500 mijë vaksina të gripit sezonal, që mundësojnë krijimin e imunitetit për vjeshtë. Janë bërë porositë e nevojshme për vaksinën eventuale kundër COVID në rast se kjo vaksinë del së shpejti. I kemi fillu procedurat edhe për të blerë 7 aparate për testim, 1 për Klinikën Infektive dhe 6 tjetra për regjione”, u shpreh Hoti.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani tha se propozimin për gjendje të jashtëzakonshme nuk ka të drejtë ta japë kryeministri por vetëm Presidenti.