Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avdullah Hoti: Të gjithë të rriturit duhet të vaksinohen

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër COVID-19.

Sipas Hotit, të gjithë të rriturit duhet të vaksinohen përveç ata që kanë arsye shëndetësore.

Tutje Hoti ka përmendur edhe fillimin e vitit të ri shkollor dhe paralajmërimet për një valë të re të pandemisë.

“Varianti delta i covid-19 po përhapet me shpejtësi. Sot kishte 221 raste pozitive. Trendi është shumë shqetësues. Nuk ka dyshim se jemi para një vale të re të pandemisë.  Për disa javë nis viti i ri akademik, ku afër 500 mijë nxënës, studentë e profesorë do të jenë në kontakt me njëri- tjetrin, duke i rritur shumë gjasat për përhapje të gjerë të virusit. Vaksinimi është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur. Është tepër e rëndësishme të kryhet vaksinimi sa më parë. Secili i rritur duhet të vaksinohet, përveç atyre që kanë arsye mjekësore. Mësimdhënësit në të gjitha nivelet duhet të vaksinohen për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre, si dhe për të mundësuar organizimin e mësimit me orar të rregullt”, ka shkruar Hoti.

Ministria e Shëndetësisë javën e kaluar ka njoftuar se rreth 90% e rasteve në Kosovë janë me variantin Delta të COVID-19.