Avdullah Hoti takohet me kryeministrin italian, Giuseppe Conte

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar sot në Romë me homologun e tij italian, Giuseppe Conte.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Hoti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Italisë për avancimin e agjendës euro-atlantike të Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Conte mbështetjen e Qeverisë së tij për ta shtyrë këtë proces përpara, në veçanti vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kryeministri Hoti me homologun italian Conte, kanë biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes. Duke vlerësuar lart kontributin thelbësor të Italisë në misionin e KFOR-it, Kryeministri Hoti ka nënvizuar përkushtimin e Kosovës që në një të ardhme sa më të shpejtë të bëhet pjesë e Aleancës Veri Atlantike dhe ka kërkuar mbështetje për rritjen e kapaciteteve të FSK-së”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe Giuseppe Conte.

Më tej thuhet se Hoti ka insistuar në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe praninë më të madhe të investitorëve italianë në Kosovë, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë, mbrojtjen e investimeve dhe promovimin e turizmit.

“Temë e veçantë diskutimi ka qenë bashkëpunimi Kosovë-Itali, në kohën që gjithë globi po përballet me pandeminë Covid -19.  Kryeministri Hoti, ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për ndihmën e grupit të mjekëve dhe infermierëve ushtarak italian që po qëndrojnë në Kosovë, në mbështetje të kolegëve të tyre, mjekëve kosovar, në luftën kundër koronavirusit. Ndërkohë që ka theksuar solidaritetin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me familjet e viktimave nga Covid-19 në Itali”, përfundon komunikata.