Avdullah Hoti: Takimi në Bruksel, po rrëshqet në dialog teknik

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se takimi i grupeve punuese të Kosovës dhe të Serbisë sot në Bruksel për çështjen e targave të automjeteve, është rrëshqitje drejt dialogut teknik.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti ka thënë se fokusi duhet të mbahet tek marrëveshja finale për njohje reciproke në mes dy vendeve.

Ai ka shkruar se në Qeverinë që e ka udhëhequr ka nisur dialogu për marrëveshje finale, sipas tij, i bazuar në platformë të parimeve, objektivave dhe vijave të kuqe në dialog.

Hoti ka thënë se pas dakordimit me partnerët për pozicionimin dhe pritjet e Kosovës, është nisur dialogu me objektiv në arritjen e vetëm të marrëveshjes finale për njohje reciproke.

“Fatkeqësisht, me veprimet e Qeverisë aktuale, siç është takimi i sotëm në Bruksel, po kthehemi prapa në dialog teknik”, ka shkruar Hoti.

Sipas ish-kryeministrit, për targat nuk ka se për çfarë të dialogohet.

“Marrëveshja për targat ka skaduar më 15 shtator 2021. Një vit më parë, në shtator 2020, në zbatim të marrëveshjes së Brukselit, ish ministri i Brendshëm Veliu e ka anuluar udhëzimin administrativ për të pamundësuar regjistrimin e automjeteve më tutje bazuar në marrëveshjen e vitit 2016, në mënyrë që përtej datës 15 shtator 2021 të mos ketë në qarkullim automjete të regjistruara sipas marrëveshjes së Brukselit”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se ky lloj dialogu, siç e ka quajtur ai, jo vetëm që prolongon arritjen e marrëveshjes finale, por sipas tij, krijon pritje të tjera tek partnerët ndërkombëtare sa i përket pozicionit të Kosovës.

“Të gjithë duhet ta kemi të qartë se marrëdhëniet me Serbinë nuk normalizohet pa marrëveshje për njohje reciproke. Kur analizohet gjeneza e problemeve të përditshme që na shfaqen në relacion me Serbinë, shihet qartë se ato probleme janë derivat i mungesës së njohjes reciproke”, ka shkruar në fund ai.

Grupet punuese nga Kosova dhe Serbia, do të takohen sot në Bruksel për të diskutuar për çështjen e targave të automjeteve. Ende nuk dihet saktësisht se nga kush përbëhet grupi punues i Kosovës që do të zhvillojë bisedime në Bruksel me palën nga Serbia.

Burime brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur për KALLXO.com, se anëtarët e grupit punues do të bëhen publik në një moment të përshtatshëm.

Takimin mes të dyjave palëve e kanë konfirmuar dje nga Bashkimi Evropian.

Sot në Bruksel takohen grupet punuese për targat nga Kosova dhe Serbia