Avdullah Hoti: Qeveria e ardhshme nuk do ta ndërtojë autostradën e Dukagjinit

Qeveria e re, e cila pritet të formohet nga dy partitë më të votuara në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duket se nuk do ta ndërtojë autostradën e Dukagjinit.

Avdullah Hoti, nga LDK-ja, ka thënë se projekti për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit është i panevojshëm dhe nuk do të realizohet nga qeveria e ardhshme.

“Është komplet i panevojshëm. Është një projekt që nuk do te realizohet nga qeveria e ardhshme. Ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë sa i përket atij projekti. Nuk e kemi komoditetin e as s’është e nevojshme që të ndërtojmë autostradë në ato toka bujqësore. Çka do të bëjmë ne është se nga Istogu, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe deri në Prizren do të zgjerohet komplet rruga ekzistuese, do të bëhen rrugë me katër shirita, jo rrugë e izoluar, në magjistralen ekzistuese në mënyrë që mos të shpenzojmë qindra miliona në shpronësime të tokave dhe ai korridor nga Peja deri në Prizren, por në veçanti nga Gjakova deri në Prizren të jetë një korridor që zhvillohen komplet bizneset, një tip zone ekonomike”, ka potencuar Avdullah Hoti në KTV.