Avdullah Hoti: Policia intervenoi ndaj bujqve, por jo në tubimin në sheshin e Prishtinës

Ish-zëvendëskryeministri dhe tani i mandatuari për formimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, ka akuzuar qeverinë në detyrë për ndërhyrje selektive në rastet e tubimeve të njerëzve në kohë pandemie.

Hoti ka deklaruar se për dallim nga dje që nuk pati reagim nga Policia e Kosovës ndaj qytetarëve të mbledhur në sheshin e Prishtinës, në vikendin e kaluar forcat e rendit kishin intervenuar ndaj bujqve në Rahovec që ishin mbledhur për të siguruar të ardhura për familjet e tyre.

Hoti sipas njoftimi në “Facebook”, lidhur më rastin në Rahovec thotë se nuk ka reaguar për te mos e politizuar çështjen.

Ai ka fajësuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kryeministrin pasi që nuk u deklaruan lidhur me tubimin e qytetarëve për “prova të protestës”.

“Ministri i Shëndetësisë, qe menaxhon urgjencën e shëndetit publik, nuk e tha asnjë fjale. Kurse Kryeministri ne ikje ishte sigurisht i zënë me dërgimin e letrave neper bote. Apo ndoshta paradat politike për te intimiduar demokracinë nuk i nënshtrohen ligjit?”, tha ai.

Dhjetëra qytetarë kanë mbajtur dje “prova për protestë” në sheshin “Skendërbeu” në Prishtinë, duke mbajtur distancë fizike mes vete.

Pamjet nga ky organizim janë publikuar në grupin të mbështetësve të Albin Kurtit në Facebook-ut të titulluar “me Kryeministrin”.

Nuk dihet ende se kush është organizator i këtyre “provave” në kryeqytet.

Kurse, sot Policia e Kosovës në raportin 24 orësh e ka quajtur protestë mbledhinë e njerëzve dje në sheshin e Prishtinës. Megjithatë nga organizatorët ajo u quajt provë për protestë.