Avdullah Hoti pezullon vendimin për refuzimin e lejes së qëndrimit për këshilltarin e Albin Kurtit

Kryeministri, Avdullah Hoti, ka pezulluar vendimin për deportimin e këshilltarit të ish- kryeministrit Albin Kurti, Tienmu Ma.

Njoftimi për pezullim të këtij vendimi u bë gjatë ditës së sotme.

“Bazuar në fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, ka marrë vendim  për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve A. Nr. 555/2020 me nr. prot A. nr. 1571/2020, të datës 01.10.2020, sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. 1. Vendimit Nr. Ref. 116/2020 i Komisionit të Ankesave për të Huajt, i datës 21.09.2020 me të cilën i refuzohet ankesa z.Tienmu Ma, e parashtruar kundër vendimit të shkallës së parë;  2. Vendimit Nr. 02224/20 mbi refuzimin e kërkesës së lejes së qëndrimit të përkohshëm i datës 20.8.2020; dhe 3. Vendimit Nr. 00174/20 për largimin vullnetar të Ministrisë së Punëve të Brendshme – Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim – Divizioni për të Huajt, i datës 21.8.2020”, thuhet në vendim.

Gjithashtu në njoftim thuhet edhe se kryeministri Hoti ofroi bashkëpunimin të plotë rreth çështjes së depërtimit të Tienmu Ma, gjithmonë në pajtim me mandatin kushtetues dhe ligjor, si dhe njëherit mbetet në pritje deri në përfundimin e hetimit nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

KALLXO.com kishte raportuar se Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim – Divizoni për të Huajt kishte marr vendim për dëbimin nga Kosova të shtetasit amerikan Tienmu Ma, këshilltarit amerikan të ish-kryeministrit Albin Kurti.

Vendimi ishte marrë pasi i ishte refuzuar kërkesa për vazhdimin e lejes së qëndrimit në Kosovë.

Sipas dokumenteve që ka siguruar KALLXO.com, refuzimi i lejes së qëndrimit të Tienmu Ma në Kosovë ishte pasi sipas Divizionit për të Huajt në MPB, ai nuk kishte kompletuar dokumentacionin e kërkuar.

Sipas këtyre dokumenteve, kërkesa e shtetasit amerikan Ma u refuzua pasi ai, sipas MPB-së, nuk kishte përkthyer diplomën e tij, nga anglishtja në gjuhën shqipe.

Më pas, Tienmu Ma përmes avokatit të tij Tomë Gashi, ka paraqitur ankesë në shkallën e dytë, që është Komisioni i Ankesave për të Huajt.

Ky Komision gjithashtu e ka refuzuar ankesën e Tienmu Ma, duke e cilësuar si të pa bazuar.

Në dokumentet që ka siguruar KALLXO.com, shihet se në dokumentacionin e Tienmu Ma, është edhe diploma e tij e përkthyer nga anglishtja në shqip.

Për rastin e dëbimit të Tienmu Ma, kishte folur edhe Avokati i Popullit i posazgjedhur, Naim Qelaj.

Ai tha se vendimi i parë që ka marrë prej që ka marrë detyrën, është se ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, që të pezullojnë vendimin për dëbimin e këshilltarit të ish kryeministrit, Albin Kurti.

“Ajo që më bindi që me e nënshkru kërkesën për pezullim, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme me kërkesën që vendimi për dëbim të pezullohet, ishte vendimi i MPB-së për pezullimin e gjithë procedurës për marrjen për leja dhe licenca për periudhën sa ekzistojnë masat kundër pandemisë, dhe me sa mora vesh ai vendim është në fuqi”, ka deklaruar Qelaj.

Për amerikanin Ma ka pasur probleme me lejen e qëndrimit në Kosovë, ndërsa së fundmi Profesori nga Universiteti ‘Yale’, James Silk i është drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti, ku ka thënë se Kosova mund të bëhet subjekt i një hetimi nga raportuesi special i OKB-së, rreth refuzimit të lejës së qëndrimit të Tienmu Ma në Kosovë.