Avdullah Hoti LDK

Avdullah Hoti: Nuk ka zvarritje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me VV

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk ka zvarritje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosjes.

“Qytetarët me 6 tetor kanë kërkuar ndryshim, duke votuar dy partitë opozitare pothuajse njëjtë, të cilat se bashku arrijnë mbi 50% të mandateve në Kuvend, të mjaftueshme për te formuar qeverinë e re. Jemi duke punuar për të dakorduar një program qeverisës që reflekton ketë vullnet të qytetarëve”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’, të martën.

Hoti ka thënë se deri më tani janë pajtuar që të jenë vetëm 12 ministri, pasi që kjo sipas tyre, do të kursejë miliona euro dhe do të rrisë efikasitetin e qeverisjes.

“Kemi diskutuar në detale programin për zhvillim ekonomin dhe punësim dhe jemi pajtuar për shumicën e çështjeve”, thuhet më tutje në postimin e Hotit.

Ai ka paralajmëruar së në takimet e ardhshme do të diskutojnë për rendin, ligjin dhe sigurinë, për arsim e shëndetësi, pastaj për politiken e jashtme.

“Jam i bindur se mund ta përmbyllim marrëveshjen sapo te certifikohen rezultatet e zgjedhjeve. Pastaj, nuk do te humbim kohe ne themelimin e institucioneve te reja”, shtoi ai.

“Te gjitha këto diskutime jemi duke i mbajtur ne mënyrë transparente sa i përket temave dhe personave qe po i zhvillojnë diskutimet, një praktike kjo e pa zbatuar me pare ne skenën politike”, ka përfunduar kandidati për deputet i LDK-së.

Të hënën është zhvilluar takimi i tretë me radhë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për harmonizimin e programit qeverisës.

Siç është bërë e ditur nga ky takim, të dy palët kanë biseduar për ekonominë.

KALLXO.com kishte raportuar me 26 tetor se edhe pse kanë kaluar tri javë prej kur Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në parim janë marrë vesh për fillim të bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisës, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, këto dy subjekte politike në dy javët e fundit kanë zhvilluar vetëm dy takime.