Avdullah Hoti ia beson Driton Selmanajt një detyrë në qeveri

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka shtruar katër çështje gjatë mbledhjes së qeverisë së Kosovës.

Ai ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të jenë prezentë në seanca plenare të Kuvendit.

“Prezenca jonë në seanca të Kuvendit duhet të jetë e plotë dhe e rregullt. Kur është seanca duhet t’i shtyjmë detyrimet e tjera edhe kur nuk ka pika që bijnë në fushën e juaj. Edhe në komisione parlamentare. Jemi zotu dhe i përgjigjemi plotësisht Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Hoti ka marrë vendim që edhe mbledhjet e qeverisë të mbahen ditën e mërkurë.

“Plani im është ky që mbledhjet e qeverisë të mbahen të mërkureve, e caktojmë edhe orën e saktë. Dhe ju si ministra i dërgoni pikat deri të mërkurën në sekretariat shqyrtohen deri të premten dhe të premtën e keni rendin e ditës për mbledhjen e të mërkurës”, tha ai.

Hoti gjithashtu tha se duhet ta funksionalizojnë shpejt Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik që do të shërbejë sipas tij si trup mbikëqyres për sa u përket masave për rimëkëmbje ekonomike.

Gjithashtu Hoti tha se agjendën legjislative do ta mbikëqyrë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

“Ka pak çështje që mund të ndryshohen aty, kryni procedurat sa më shpejt”, tha Hoti.