Avdullah Hoti e përsërit kërkesën ndaj qeverisë: Pres kërkimfalje

Deputeti i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën e sotme ka përsëritur se pret kërkimfalje nga partia në pushtet dhe nga kryeministri Kurti për kritikat që ia kishin bërë në kohën kur u firmosë marrëveshja në Uashington më 4 shtator.

Sipas ish-kryeministrit Hoti, i cili edhe ka qenë nënshkruesi i kësaj marrëveshje, thotë se pas pranimit të studimit të fizibilitetit që qeveria Kurti e mori nga ekspertët amerikan, ai pret që të merr një kërkim falje nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kjo marrëveshje është kritikuar nga të gjitha partitë opozitare atëherë, me argumente të paqëndrueshme, me motive politike jo fisnike. Tani një pjesë e asaj opozite është në qeveri, dhe duke qenë ne Qeveri, presim që të tregohet një maturi shumë e madhe politike karshi çështjeve shtetërore siç është kjo marrëveshje. Dje Qeveria ka pranuar studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit. Tash këtë studim e kanë në dorë dhe pres deklarim të qartë lidhur me këtë pyetjen që kishin thënë dikur “a e cenon sovranitin i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit”. E udhës do të ishte të kërkohej falje. Iu kisha thënë dikur që të mos nguten”, tha ai.

Hoti ka paralajmëruar debat parlamentar për angazhimin e qeverisë se përket realizimin e kësaj marrëveshje.

“Ju nuk besuat as për zyrtarizmin e marrëdhënieve me Izraelin. Këta që janë në qeveri, iu ftojë që të kujdesen për realizimin e projekteve të marrëveshjes se ndryshe nuk do ta kenë gjatë në qeveri sikurse nuk e ka pasur as vitin e kaluar. Këto projekte përfshijnë hekurudhat dhe autostradat, energji, furnizim me gaz, furnizim të bizneseve nga tregjet financiare të ShBA-ve. Ne nisem realizimin secilin pikë të kësaj marrëveshje, kryeministrit aktual iu është dorëzuar raporti. Ju njoftoj se ne do të kërkojmë debat parlamentar për angazhimin e qeverisë se përket realizimin e kësaj marrëveshje”, u shpreh Hoti.

Ish kryeministri Hoti edhe gjatë ditës së djeshme kishte kërkuar nga qeveria Kurti kërkimfalje në lidhje me diskutimet për liqenin e Ujmanit.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar të di qëndrimin e Qeverisë për Marrëveshjen e Uashingtonit.

“A mund të tregojë Qeveria se a do të fillojë implementimin e kësaj marrëveshje apo jo? Javën e kaluar Qeveria nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim ndërkufitar me Malin e Zi, para se të fillojë një marrëveshje të tillë, ku mbeti Zhlebi e Qakorri”, ishte pyetja e deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar.