Avdullah Hasani drejt kthimit në Kryeministri

Avdullah Hasani, ishte emëruar Koordinator Nacional për Gjeneratën e Re ndërsa ishte edhe shef i Task Forcës Kundër Narkotikëve te të Rinjtë dhe Siguri në Shkolla në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës.

Këto pozita, ai i mori sa në krye të ekzekutivit kosovar ishte, Ramush Haradinaj.

Hasani kishte dhënë dorëheqje nga pozita e koordinatorit vetëm disa ditë para se ish-kryeministri Albin Kurti t’i lironte nga pozita të gjithë koordinatorët e emëruar nga Haradinaj.

“Ju falënderoj që më qëndruat pranë, më kritikuat, më këshilluat e nëpërmjet këtyre më ndihmuat. Angazhimi im tani e tutje do të jetë vetëm profesional”, kishte shkruar Avdullah Hasani në Facebook.

Pas ndërrimit të qeverisë, Hasani ka kërkuar të rikthehet në pozitën të cilin e ka ushtruar në kohën e qeverisë Haradinaj.

Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Fitim Krasniqi tha se ende nuk ka një vendim të ri për caktimin në ndonjë post të ri për Hasanin.

Ai tha se rikthimi i tij në pozitën e përparshme është e pamundur, pasi kishte dhënë vetë dorëheqje.

“(Hasani) Ka kërkua të kthehet, po njëherë për një herë e kam dokumentin e dorëheqjes, ai nuk mund të jetë këtu. Ai ka kërkuar një memorandum që e ka nënshkruar gjatë kohës së Haradinajt, po ne jemi duke e rishikuar obligimet që dalin në lidhje me këtë memorandum, po sa i përket pozitës së tij, ai ka ofru dorëheqje dhe s’mund të rikthehet”, ka deklaruar ai.

KALLXO.com ka kontaktuar vetë Hasanin për të marr një përgjigje rreth kërkesës së tij për tu kthyer në kryeministri, por ai fillimisht ka thënë se do të përgjigjet me mesazh në telefon, pastaj nuk e ka hapur dhe nuk ka kthyer më përgjigje.

Qeveria Kurti më 12 shkurt të këtij viti kishte shkarkuar shtatë koordinator nacional, ndër ta edhe Avdullah Hasanin, ndonëse ia dha dorëheqje disa ditë më herët.

Koordinatori kishte pagë të barasvlershme me pagën e ministrit/es dhe se ai ka të drejtë të emëroj edhe tre këshilltar/e politikë dhe një asistent/e të cilët do të kenë pagën e vlefshme me këshilltarët dhe asistentët e ministrave.

Secili nga koordinatorët kishte të drejtë të emëroj 3 këshilltar, e që arkës së shtetit të tre bashkë do t’i kushtojnë 1 mijë e 728 euro në muaj, ndërsa për një vit 20 mijë e 736 euro.

Për tri vjet këta këshilltarë 62 mijë e 208 euro. Njësoj vlen edhe për asistentët/et. Një asistent/e ekzekutiv/e  ka pagën 464.75 euro. Për një vit një asistent do t’i kushtojë qeverisë 5 mijë e 577 euro ndërsa për tri vjet 16 mijë e 731 euro.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar Qeveria Haradinaj zyrtarisht ka të emëruar katër koordinatorë, Besnik Tahirin – koordinator nacional për Reforma Shtetërore, Mendim Rugovën – koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit, Rexhep Hotin – koordinator nacional për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Avdullah Hasani koordinator Nacional për Gjeneratën e Re.

Avdullah Hasani, shef i Task- Forcës kundër drogës në shkolla